
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim në Hagë me Drejtorin Ekzekutiv në detyrë të Europol-it, Jürgen Ebner, në kuadër të pjesëmarrjes në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko. Ebner e uroi Hitën për detyrën e re dhe vlerësoi angazhimin për forcimin e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.
Sipas Policisë së Shtetit, drejtuesi i Europol-it vlerësoi bashkëpunimin me Policinë shqiptare, veçanërisht shkëmbimin e informacionit, hetimet e përbashkëta dhe angazhimin në mekanizmat e Europol-it dhe EMPACT.
Gjatë takimit u vlerësua edhe puna e Zyrës Ndërlidhëse të Shqipërisë në Europol, ndërsa bashkëpunimi operacional mes dy institucioneve është cilësuar si një element i rëndësishëm në përballimin e krimit të organizuar ndërkufitar.
Nga ana e tij, Skënder Hita theksoi se mbështetja e Europol-it, përmes ekspertizës, shkëmbimit në kohë të informacionit dhe zhvillimit të hetimeve e operacioneve të përbashkëta, është e rëndësishme për Policinë e Shtetit.
“Vizioni im në drejtimin e Policisë së Shtetit është i qartë dhe i mirorientuar: bashkëpunim i ngushtë, pa barriera, me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me policitë partnere, duke kontribuuar denjësisht për sigurinë evropiane”, deklaroi Hita.
Ai u ndal edhe te përdorimi i teknologjisë nga grupet kriminale, duke theksuar nevojën për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të strukturave ligjzbatuese.
“Jemi në luftë me krimin e kohëve moderne, ku teknologjia, ashtu siç na shërben neve, i shërben edhe krimit, i cili përditë e më shumë po globalizohet. Ndaj, është shumë i rëndësishëm forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke vepruar me partnerët, pa barriera”, u shpreh ai./Versus.al

