Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po përgatitet për të nisur mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian brenda fundit të këtij viti.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila po zhvillon një vizitë në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkan, Rama konfirmoi vullnetin e Shqipërisë për të vijuar me të gjitha detyrimet që burojnë nga procesi i integrimit europian.
“Në vizitën në Tiranë të Presidentes dhe të delegacionit të saj ka shumë përmbajtje pozitive në raport me të gjithë objektivat e përbashkët që kemi. Dua të konfirmoj edhe një herë publikisht vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që tani ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Po përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve së shpejti, konkretisht para fundit të këtij viti”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se gjatë vitit të ardhshëm puna do të vijojë intensivisht edhe për një pjesë të konsiderueshme të kapitujve që tashmë janë hapur.
Rama u ndal edhe te Plani i Rritjes, për të cilin tha se Shqipëria ka arritur të përmbushë disa objektiva jashtëzakonisht ambicioze.
“Plani i Rritjes është një nga risitë e mandatit të saj të dytë. Një risi që për rajonin ka ardhur si një mbështetje shumë e madhe, jo thjesht në aspektin financiar, por mbi të gjitha në aspektin e atij që quhet tanimë si një integrim gradual, pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit”, shtoi Rama.


