Vokshi: Integrimi i pjesshëm që kërkojnë Rama-Vuçiç nuk ka mbështetje, BE-ja kërkon plotësimin e kritereve

Vokshi: Integrimi i pjesshëm që kërkojnë Rama-Vuçiç nuk ka mbështetje, BE-ja kërkon plotësimin e kritereve

20:01, 30/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një intervistë për Syri TV me Armela Ferkon, foli për variantin e anëtarësimit të pjesshëm në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një propozim të artikuluar nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.

Vokshi tha se, sipas kontakteve që ajo ka pasur me përfaqësues të BE-së, ky variant nuk ka marrë mbështetje, pasi përfitimet nga tregu europian lidhen me plotësimin e kritereve të anëtarësimit.

Vokshi theksoi se procesi i integrimit duhet të jetë “merit-based”, duke përmendur zgjedhjet, luftën kundër korrupsionit, pastrimin e parave dhe shtetin ligjor. Sipas saj, hapja e kapitujve nuk nënkupton automatikisht mbylljen e tyre dhe kapitulli i parë, që lidhet me themeloret, nuk mund të mbyllet pa përmbushjen e kritereve. Ajo përsëriti gjithashtu qëndrimin e opozitës për nevojën e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Intervista:

Ferko: A mund të ndodhi ky, ky version i qëndrimit i një anëtarësimi të pjesshëm që ishte artikuluar në fakt edhe disa kohë më parë, mund të ndodhi kjo? Gjermania nuk ka qenë pro me ç'më kujtohet për këtë version. Por, a ekziston si mundësi kjo? A është artikuluar aty?

Vokshi: Ky është një variant i propozuar nga Rama dhe Vuçiçi. Për letrën e hapur. Nuk ka pasur mbështetje, nuk ka pasur mbështetje në dijeninë time dhe në të gjitha takimet ndërkombëtare që unë kam ndjekur, po folur edhe këtu në këto ditë me përfaqësues të Bashkimit Europian, nuk ka pasur mbështetje. Pse? Nuk mund të përfitojë një vend nga tregu i përbashkët, nga lëvizja e madhe, apo nga politika të tjera mbështetëse pa kryer detyrat, pa plotësuar kriteret e Kopenhagës. Ky është kushti themelor. Pra po, mbështetje për procesin e integrimit, por merit-based. Vetëm atëherë kur ta meritosh, vetëm atëherë kur ti të kesh bërë zgjedhje të lira e të ndershme, kur të gjithë e dinë se njollën e zezë të zgjedhjeve që ka organizuar Edi Rama. Luftë ndaj korrupsionit, kur të gjithë e dinë dhe ne i kemi informuar dhe vazhdojmë t'i informojmë në mënyrë të përditshme për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, për rastin Balluku. Kemi kërkuar madje edhe për propozimet që bën Edi Rama pas disa propozimeve që kishte bërë për kodin e procedurës penale. Po ndërkohë kemi edhe 242-shin që e ka firmosur vetë Edi Rama. Super imunitetin. Kush e pranon super imunitetin në nga vendet e Bashkimit Europian? Për të mbrojtur Ballukun, për të mbrojtur veten, apo për të mbrojtur ministrat? Kemi kërkuar madje edhe një opinion nga Komisioni i Venecias pikërisht për këto ndryshime në kodin e procedurës penale apo super imunitetin për të mbrojtur veten e tij dhe njerëzit rreth tij. Kush të fut në Bashkimin Europian, kush të pranon në Bashkimin Europian, nëse ty kreu i inteligjencës shtetërore, pra i SHISH-it, të arrestohet për lidhje me bandat kriminale? Kush të pranon ty nëse ti lejon bandat që të të ndihmojnë për zgjedhje dhe ti u jep portet që t'i kontrollojnë, apo forcon grupet kriminale, krimin e organizuar që të sjellin, që të transportojnë drogën nga vendet e Amerikës Latine dhe të përcaktojnë dhe çmimin e kokainës, duke larë dhe paratë në Shqipëri për të dëmtuar më tej ekonominë dhe konkurencën në vendet e tyre. E shumë e shumë kritere të tjera. I hapi kapitujt, ja bën nderin Edi Ramës, ama për të mbyllur kapitujt, dhe sidomos kapitullin numër një që është ai i themeloreve. Nuk ka për t'u mbyllur ai kapitull pa plotësuar të gjitha kriteret përsa i përket pra zgjedhjeve siç e përmenda, luftën ndaj korrupsionit, ndaj pastrimit të parave, dhe një sërë kriteresh të tjera të cilat janë vendosur në bazë, në bazë të kapitujve. Kjo është, ky është një mesazh i qartë, të cilin ne e marrim në të gjitha, në të gjitha takimet që kemi bërë. Ndaj kemi edhe ne si opozitë kemi treguar vullnetin e mirë për të mbështetur procesin e integrimit. Po sigurisht integrimi nuk mund të jetë ai integrimi i pjesshëm që kërkon Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, pa kryer zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sigurisht kërkesa jonë ka vijuar me kërkesën pra me mbështetjen për një qeveri teknike, sepse me Edi Ramën tashmë edhe ndërkombëtarët e kanë të qartë nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Qytetarët shqiptarë nuk e kanë këtë mundësi për të votuar të lirë. Dhe zgjedhjet janë kyçi, vota është demokracia. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco