Muli i shqetësuar për sulmet ndaj Mediut

30 Shtator 2026, 20:25Antena TEMA

Qarkullimi në rrjet i disa videove pornografike, ku përfshihen disa personazhe publike të jetës së artit, ka shkaktuar një stuhi në vend. Institucionet kanë dhënë urdhër të sekuestrohen pajisjet, ndërsa dhjetëra zëra publikë e kanë dënuar aktin.

Por Muli nuk është shumë i shqetësuar për këtë. Ai është i shqetësuar për Fatmir Mediun. Ky i fundit është shfaqur në shumë “meme”, herë i dëshpëruar, herë duke qarë apo si burrë i lënë, ndërkohë që është në fund të procesit gjyqësor dhe duhet ta mbajë veten fort.

– Si t’ia bëjmë? – i tha Lelos. – Ky duhet ndihmuar.

– S’kemi si ta ndihmojmë, – tha Lelo. – Ky është sulm politik. E gjitha është bërë që ai të humbasë qetësinë në këto momente delikate të jetës së tij politike, ndërkohë që ka përditë takime në kafenetë e Uashingtonit dhe Teksasit me politikanë amerikanë. Ata duan t’i prishin humorin dhe ta detyrojnë të kthehet në Shqipëri për ta parë gjendjen nga afër, pasi mund të ketë revolta edhe ndaj tij.

– E kuptoj, – tha Muli, – por mund të bëjmë një deklaratë si parti dhe të dënojmë shantazhet ndaj njerëzve të afërt të opozitës.

– Në asnjë mënyrë, – tha Lelo. – Kjo do të krijojë probleme edhe më të mëdha, pasi del që ne nuk na tradhtojnë vetëm deputetët apo kryetarët e bashkive, por edhe dashnoret. Kjo pastaj na bën qesharakë. Ai duhet të bëjë sikur s’ka parë gjë.

– Po ashtu kemi bërë të gjithë, – tha Muli, – por e kemi parë. Edhe të gjithëve na dhimbset kur e mendojmë, se kur të tradhton me një, ia bën hallall, por me dy njëherësh është e rëndë.

– Për këtë arsye duhet të mos e prekim fare këtë temë, – tha Lelo. – Le të shpresojmë se do të ketë video të tjera në të ardhmen me femra socialiste dhe merremi me to. Me këto nuk ia vlen të merremi.

– Po si ta qetësojmë Mediun tani, se mund të humbasë toruan?

– Është e thjeshtë, – tha Lelo. – Ajo jona ishte më e mirë se ato të tjerat. Kaq nuk është pak për ta mbajtur moralin lart. Në fund të fundit, përvoja është një aset i madh në këto raste.

Lini një Përgjigje