Hita takim me drejtuesin e Europol në Hagë: Bashkëpunim pa barriera për luftën ndaj krimit

30 Shtator 2026, 20:25Kronika TEMA
Hita takim me drejtuesin e Europol në Hagë: Bashkëpunim pa

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka marrë pjesë në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë (EPCC), që po zhvillohet në Hagë të Holandës.

Para nisjes së konferencës, Hita zhvilloi një takim me Drejtorin Ekzekutiv në detyrë të Europol-it, Jürgen Ebner. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës, Artur Kuko.

Ebner e uroi Hitën për detyrën e re dhe vlerësoi angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Europol-it, Policia e Shtetit konsiderohet një partner i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në takim u vlerësua edhe puna e Zyrës Ndërlidhëse të Shqipërisë në Europol, si dhe rritja e bashkëpunimit operacional, e reflektuar në shtimin e shkëmbimit të informacionit, hetimeve të përbashkëta dhe angazhimit në mekanizmat e Europol-it dhe EMPACT.

Nga ana e tij, Skënder Hita falënderoi drejtuesin e Europol-it për pritjen dhe vlerësimin ndaj Policisë së Shtetit.

Ai theksoi se mbështetja e Europol-it përmes ekspertizës, shkëmbimit të informacionit dhe hetimeve e operacioneve të përbashkëta është e rëndësishme për luftën kundër krimit të organizuar.

“Dua t’ju siguroj se vizioni im në drejtimin e Policisë së Shtetit është i qartë dhe i mirorientuar: bashkëpunim i ngushtë, pa barriera, me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me policitë partnere, duke kontribuar denjësisht për sigurinë evropiane”, u shpreh Hita.

Drejtori i Policisë së Shtetit e cilësoi luftën kundër krimit si një përballje me një fenomen që po shtrihet gjithnjë e më shumë përtej kufijve, ndërsa teknologjia po përdoret edhe nga grupet kriminale.

“Jemi në luftë me krimin e kohëve moderne, ku teknologjia, ashtu siç na shërben neve, i shërben edhe krimit, i cili përditë e më shumë po globalizohet. Ndaj, është shumë i rëndësishëm forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke vepruar me partnerët, pa barriera”, tha ai.

Hita ndodhet në Hagë në kuadër të Konventës Evropiane të Shefave të Policisë, e cila mbledh drejtues të institucioneve policore evropiane për diskutime mbi sigurinë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Lini një Përgjigje