E mërkurë, 30 Shtator 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

“Jo arnime për interesa të momentit”, Kthupi kritikon ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale

Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale dhe përdorimi i masës së paraburgimit kanë qenë në fokus të intervistës me juristin Rezart Kthupi në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, nën moderimin e Aleksandër Furxhi.

Kthupi argumenton se ndërhyrjet synojnë të vendosin kufizime më të qarta për përdorimin e “arrestit në burg”, ndërsa një tjetër risi është detyrimi i prokurorit për të hetuar dhe paraqitur edhe prova që mund të jenë në favor të të pandehurit.

Reklamë

Juristi ngre pikëpyetje për mënyrën e hartimit të ndryshimeve, duke theksuar se prekja e rreth 105 neneve përbën një ndërhyrje të rëndësishme në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas tij, në vend të ndryshimeve të pjesshme, do të duhej të hartohej një kod i ri dhe të harmonizohej i gjithë kuadri procedural penal, civil dhe administrativ.

INTERVISTA E PLOTË:

Nga një vështrim i këtyre propozimeve krijohet përshtypja se lexohet një synim për të frenuar masën e paraburgimit në Shqipëri. Ju si mendoni?

Rezart Kthupi: Unë nuk do ta përkufizoja në këtë formë. Masa e paraburgimit është një shqetësim i kahershëm që të paktën profesionistët e fushës e kanë ngritur, veçanërisht avokatët, kur bëhet fjalë për probleme që lidhen specifikisht me përdorimin e tejskajshëm të masës së sigurimit “arrest në burg”. Këtu nuk është çështja që nuk duhet të përdoret si masë sigurimi, çështja është që nuk duhet të kthehet në masën kryesore që përdoret kryesisht nga prokuroria dhe nga gjykatat. Ajo që ka qenë shqetësim është trajtuar edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila me vendime të njëpasnjëshme e ka detyruar shtetin shqiptar që ta rishikojë politikën që përdor sistemi gjyqësor përkundrejt masave të sigurimit. Patëm edhe një vendim tjetër të Gjykatës së Lartë pikërisht në këtë drejtim, dhe ajo që bën qeveria shkon në të njëjtën linjë, duke bërë rregullime ligjore, që duhet të ishte dhe është forma e parë e më e mirë për të rregulluar një problem strukturor. Rregullime ligjore të cilat jo se e përjashtojnë masën e sigurimit “arrest në burg”, por e vendosin atë në disa shina kufizuese për të dalë nga kjo praktikë e sotshme ku, për gjykatat dhe prokuroritë, masa “arrest në burg” është ndër të parat që përdoret.

Janë rreth 105 nene që preken në Kodin e Procedurës Penale. Kujtojmë që kodi ka rreth 600 nene. Megjithatë, vihet re një risi në këto propozime: që prokurori të jetë i detyruar të paraqesë, të hulumtojë, të dokumentojë e të paraqesë jo vetëm prova që e dëmtojnë ose e rëndojnë të pandehurin, por edhe prova që mund të jenë në favor të tij. A është kështu?

Rezart Kthupi: Ky është një nga propozimet që është bërë pjesë e projektligjit, dhe bashkë me këtë propozim është edhe propozimi që shkon me të drejtën e palës mbrojtëse, avokatit apo klientit të tij, për të kryer veprime proaktive hetimore. Që do të thotë, deri më sot kemi pasur një situatë të pabarabartë armësh ndërmjet palëve. Prokurori ka të gjitha organet hetimore, të gjitha mundësitë që të kryejë hetim, dhe për më tepër, në një farë mase edhe abuzohet me pjesën procedurale të personit nën hetim. Nga ana tjetër, mbrojtja e ka shumë të vështirë të paraqesë prova që të njihen në atë cilësi që do t’i kërkonte gjykata. Kështu që ndërhyrja është e dyfishtë, nga njëra anë e detyron prokurorin që të hetojë jo vetëm fajësinë e personit, por të hetojë edhe prova që mund ta shfajësojnë atë, dhe kjo shkon me nocionin që prokurori është në kërkim të së vërtetës dhe jo thjesht të fajtorit. Dhe e dytë është që mbrojtjes e avokatëve t’u jepen instrumente juridike me të cilat ata të kryejnë hetime proaktive, deri edhe me kërkesa drejtuar gjykatës për të hyrë në ambiente private, për të hulumtuar dokumente e mjete të tjera të kërkimit të provës. Që do të thotë se krijohet një baraspeshë ndërmjet sektorit publik, që është prokuroria në rastin konkret, dhe sektorit privat, që janë avokatët dhe të pandehurit.

Qeveria i ka paraqitur këto propozime për ndryshime si pjesë e një reforme e cila përshtatet me integrimin në Bashkimin Evropian. Këto lloj ndryshimesh në fakt, në qoftë se mund të gjykoni, me cilin vend evropian ose me cilat vende evropiane do ta përafronin Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë?

Rezart Kthupi: Tani këtu jemi në qëndrime të kundërta me qeverinë. E para e punës, Kodi i Procedurës Penale nuk mund të afrohet në këtë formë siç e bën qeveria. Të ndryshosh 105 nene të Kodit të Procedurës Penale është të paktën një e katërta e tij. Kodi ka rreth 470 apo 480 nene. Domethënë, të hysh në 105 nene ke ndërhyrë të paktën në një e katërtën e kodit, dhe është një ndryshim shumë i rëndësishëm për t’u bërë në këtë formë. Logjika do të kërkonte që më mirë të hartohej një kod i ri i procedurës penale ku dispozitat të harmonizohen me njëra-tjetrën e të sjellin të njëjtën vijë logjike, në vend të këtyre arnimeve që bëjmë ne për të rregulluar situata apo çështje të reja që kanë dalë. Kështu që në rastin konkret, pavarësisht se bëhet në kuadër të përafrimit, të paktën nga informacionet që qarkullojnë, drafti nuk është hartuar nga ekspertët shqiptarë, është hartuar nën monitorimin e ekspertëve francezë. Problemi kryesor ngelet ai se, nëse duam të harmonizojmë, Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Penal duhet të shkojnë bashkë. Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi i Procedurës Civile duhet të harmonizohen bashkë, sepse përgjithësisht kodet plotësojnë njëri-tjetrin për veprime të ndryshme civile apo penale. Kështu që ndërhyrja vetëm në njërin nga kodet, pa reflektuar pastaj në tërësinë e sistemit procedural shqiptar, që do të thotë Kodi i Procedurës Administrative, Kodi i Procedurës Civile, që janë të gjithë elementë të rëndësishëm edhe gjatë fazës së hetimit penal, bën të kuptosh se jemi gjithmonë në atë fazën e arnimeve apo arrave që u vihen ligjeve tona për një interes të momentit, por pa një strategji afatgjatë se ku kërkojmë të arrijmë apo çfarë duam të plotësojmë.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.