
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në fokus të bisedës kanë qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, reformat dhe bashkëpunimi rajonal.
Gjatë takimit, Begaj ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë, ndërsa ka rikonfirmuar se anëtarësimi në BE mbetet objektiv strategjik i vendit.
Kreu i Shtetit e cilësoi integrimin evropian një proces transformues për forcimin e institucioneve, demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Sipas tij, Shqipëria ka shënuar përparim të ndjeshëm në procesin negociues.
Begaj përmendi Planin e Rritjes, anëtarësimin në SEPA dhe programin “EU4Schools” si disa nga shembujt konkretë të përfitimeve dhe rezultateve të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.
“Shqipëria i qaset këtij procesi me besim, por edhe me një kuptim të qartë të përgjegjësisë që ai mbart. Ambicia jonë është të ruajmë ritmin dhe të vazhdojmë përparimin drejt mbylljes së të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027”, theksoi Presidenti Begaj./Versus.al

