
Tetë parti shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë arritur marrëveshje për të garuar së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, të 25 tetorit.
Marrëveshja është nënshkruar në Prishtinë, në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Subjektet politike do të garojnë nën listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me synimin për të siguruar përfaqësim më të madh të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.
Listës do t’i prijë Shaip Kamberi, lider i Partisë për Veprim Demokratik. Në vendin e dytë do të jetë një përfaqësues i Alternativës për Ndryshim, ndërsa në të tretin një përfaqësues i Partisë Demokratike.
“Është koha që të kemi fuqi më të madhe politike, pasi që në realitet e kemi atë, të jemi të përfaqësuar me një numër më të madh deputetësh në Kuvend, në mënyrë që të përpiqemi t’i zgjidhim problemet tona”, deklaroi Kamberi për Radion Evropa e Lirë.
Pjesë e marrëveshjes janë Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja për Përparim Demokratik, Lëvizja për Reforma, Alternativa për Luginën dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Sipas Kamberit, baza e kërkesave të koalicionit do të jetë plani me shtatë pika i miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013, i cili lidhet me marrëveshjet e arritura më herët ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe autoriteteve serbe, me ndërmjetësimin e OSBE-së.
Plani parashikon përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, zhvillimin ekonomik të komunave të Luginës së Preshevës, përdorimin zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare shqiptare, si dhe çështje që lidhen me drejtësinë, sigurinë, arsimin, median, kulturën, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
Partitë shqiptare kanë rënë dakord edhe për veprimin e përbashkët pas zgjedhjeve. Sipas Kamberit, deputetët e zgjedhur do të qëndrojnë së bashku dhe do të synojnë krijimin e një grupi parlamentar me subjekte të tjera me të cilat mund të bashkëpunojnë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kurti ka deklaruar se shqiptarët në Serbi duhet të kenë të paktën pesë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë, duke iu referuar vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë në Kosovë.
“Serbëve në Kosovë u garantohen 10 nga gjithsej 120 vendet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa sipas kësaj qasjeje, shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të kenë së paku pesë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd e ka cilësuar bashkimin e partive shqiptare si një hap politik që mund t'u mundësojë atyre të sigurojnë numrin maksimal të votave. Megjithatë, ai ka kundërshtuar idenë e vendeve të garantuara për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, duke argumentuar se sistemi zgjedhor serb nuk parashikon një mekanizëm të tillë për këtë komunitet.
Sipas Janjiqit, bazuar në numrin e banorëve, shqiptarët nuk do të merrnin më shumë se tre vende nëse do të zbatohej një mekanizëm i përfaqësimit të garantuar.
Bashkimi i partive shqiptare në jug të Serbisë nuk është i pari. Në vitin 2020, përfaqësuesit politikë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci nënshkruan në Tiranë një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Marrëveshja e atëhershme u nënshkrua në prani të ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj./Rel

