Publikimi i videove intime, Policia e Tiranës nis hetimet: Po identifikohen adresat IP

Policia e Tiranës ka nisur hetimet pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime hetimore për identifikimin e adresave IP dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale.
Njëkohësisht, policia po ndërmerr procedurat për heqjen e materialeve nga platformat ku janë publikuar.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimet kryesisht, pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime hetimore me qëllim identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale, si dhe po ndërmerr procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve””, njofton policia.
/vizionplus.tv




