
Publikimi dhe shpërndarja e materialeve filmike me përmbajtje intime në disa portale dhe platforma online ka vënë në lëvizje Policinë e Tiranës, e cila ka nisur hetimet kryesisht për identifikimin e personave pas publikimit dhe shpërndarjes së tyre.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime për identifikimin e adresave IP dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë materialet, ndërsa po ndiqen edhe procedurat për heqjen e tyre nga platformat online.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Edhe komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, u ka bërë thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të internetit që të ndalojnë publikimin dhe rishpërndarjen e këtyre materialeve, duke theksuar se mbrojtja e jetës private vlen edhe për personat me ekspozim publik.
Sipas Zyrës së Komisionerit, interesi apo kurioziteti i publikut për jetën intime të një personi nuk përbën automatikisht interes publik dhe nuk mund të përdoret si justifikim për publikimin e përmbajtjeve të tilla.
"Fakti që një video është publikuar apo është bërë virale nuk e kthen atë automatikisht në përmbajtje që duhet të ripublikohet nga mediat.
Materialet intime lidhen drejtpërdrejt me privatësinë e personave të përfshirë dhe shpërndarja e tyre e mëtejshme mund të thellojë dëmin ndaj tyre, përtej pasojave që mund të përcaktohen nga hetimi penal", shkruan zyra e Komisionerit.
Pikërisht për këtë arsye, Versus ka zgjedhur të mos publikojë videot, pamjet prej tyre apo lidhje që çojnë drejt materialeve intime. Redaksia do të raportojë mbi zhvillimet e hetimit dhe veprimet e institucioneve, por pa u bërë pjesë e shpërndarjes së përmbajtjes.
Kodi Penal parashikon dispozita të posaçme për veprat që lidhen me të dhënat kompjuterike dhe privatësinë, ndër to nenet 293/a, 293/b, 293/c dhe 293/ç.
Raportimi i një ngjarjeje nuk kërkon ekspozimin e viktimës apo ripublikimin e materialit që ka shkaktuar cenimin e privatësisë. Lajmi është hetimi, përgjegjësit dhe veprimet e institucioneve, jo videoja intime.
Në këtë rast, Versus do të ndjekë vetëm zhvillimet e konfirmuara zyrtarisht, pa publikuar përmbajtjen intime që po qarkullon online./Versus.al

