Cristiano Ronaldo ka konfirmuar largimin e tij nga grumbullimi i Kombëtares së Portugalisë, vetëm një ditë para ndeshjes së Nations League kundër Danimarkës. Kapiteni portugez ka reaguar përmes një komunikate të publikuar në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se do të zbulojë më vonë arsyet që e shtynë të largohej.
“Pas konferencës për shtyp të trajnerit të Kombëtares dhe pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, vendosa të largohem nga grumbullimi i Kombëtares”, shkroi Ronaldo.
Më tej, 41-vjeçari la të kuptohet se pas vendimit të tij fshihet një situatë për të cilën nuk dëshiron të flasë menjëherë.
“Në kohën e duhur do t’u tregoj të gjithë portugezëve të vërtetën mbi arsyet që më shtynë të largohem nga Kombëtarja, së cilës i jam përkushtuar gjithmonë”, deklaroi ylli portugez.
Në fund të mesazhit, Ronaldo i uroi suksese Portugalisë dhe shokëve të tij të skuadrës.
“Tani është momenti t’i uroj fat Portugalisë dhe të gjithë shokëve të mi të skuadrës, pa përjashtim”, shtoi ai.
Megjithatë, largimi i Ronaldos nuk nënkupton një lamtumirë përfundimtare nga Kombëtarja. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për këtë grumbullim dhe për ndeshjet e kësaj faze të Nations League.
Vendimi erdhi pak minuta pasi Ronaldo u largua nga stadiumi “Parken” i Kopenhagës, ndërsa pak më herët trajneri Jorge Jesus kishte deklaruar në konferencë për shtyp se nuk kishte asnjë problem me sulmuesin.
© SYRI.net
Icardi reagon në rrjetet sociale: Unë pa skuadër? E quaj liri zgjedhjeje
Shpërthen Roy Kean: Trofetë e City-t duhet të hidhen në plehra
Kuqezinjtë lënë pas San Marinon, Shqipëria niset drejt FinlandësBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: