Një koleksion i jashtëzakonshëm me vepra të artit impresionist dhe post-impresionist, me një vlerë të përllogaritur prej afro 450 milionë dollarësh, do të dalë në ankand pasi ka qëndruar i fshehur nga publiku për dekada.
Sotheby’s ka bërë të ditur se koleksioni do të ofrohet në ankandin e 18 nëntorit në New York, ku pritet të jenë në qendër të vëmendjes veprat e Vincent van Gogh dhe Paul Cézanne, të cilat mund të vendosin rekorde të reja për artistët.
Pjesë e koleksionit është piktura e Van Gogh, “Châtaigniers en fleurs”, e realizuar në maj të vitit 1890 në Auvers-sur-Oise. Vepra vlerësohet rreth 180 milionë dollarë. Ndërkohë, portreti “Arlequin” i Cézanne pritet të arrijë rreth 120 milionë dollarë.

Të dyja veprat nuk janë parë publikisht prej rreth 50 vitesh.

Koleksioni u krijua nga koleksionistja argjentinase Nelly Arrieta de Blaquier dhe bashkëshorti i saj, manjati i industrisë së sheqerit Carlos Pedro Blaquier. Tashmë, veprat po nxirren në shitje nga fëmijët e tyre.
Sipas Helena Newman, drejtueses së departamentit të artit impresionist dhe modern në Sotheby’s, koleksioni është i krahasueshëm me një “mini-Musée d’Orsay”, për shkak të cilësisë dhe emrave të mëdhenj që përfshin.
Përveç Van Gogh dhe Cézanne, koleksioni përmban vepra të Claude Monet, Camille Pissarro, Edgar Degas dhe Pierre-Auguste Renoir. Mes tyre janë peizazhe urbane të Parisit nga Monet dhe Pissarro, një skenë garash me kuaj nga Degas dhe një pikturë që paraqet një skenë lundrimi nga Renoir. Shumë prej tyre vlerësohen në dhjetëra milionë dollarë.

Një nga veçoritë më të rralla të koleksionit është fakti se veprat nuk janë huazuar për ekspozita publike. Për këtë arsye, për dekada me radhë, ekzistenca dhe përmbajtja e tij kanë mbetur kryesisht jashtë vëmendjes së publikut.
Eksperti i artit Philip Hook, ish-auksioner i Sotheby’s, e ka përshkruar koleksionin si “diçka legjendare”, duke theksuar se askush nuk e dinte saktësisht se çfarë përmbante.
“Arlequin” i Cézanne është një nga katër portretet që artisti realizoi të djalit të tij të veshur si Harlequin. Tre veprat e tjera ndodhen në muze të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Ndërkohë, piktura e Van Gogh është veçanërisht e lidhur me muajt e fundit të jetës së artistit. Sipas Sotheby’s, ajo pasqyron energjinë dhe gjallërinë që ai përjetoi pasi u largua nga një institucion psikiatrik në maj të vitit 1890. Vetëm dy muaj më vonë, Van Gogh i dha fund jetës.

Ankandi pritet të tërheqë koleksionistë nga vende të ndryshme, përfshirë miliarderë amerikanë të teknologjisë, institucione të pasura nga Lindja e Mesme dhe blerës të mëdhenj nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia.
Sotheby’s e sheh shitjen edhe si një tregues të interesit të vazhdueshëm për veprat muzeale të artistëve më të rëndësishëm, veçanërisht në një periudhë pasigurie ekonomike dhe gjeopolitike./Anabel
© SYRI.net