Sa herë mund të ripërdoret vaji i tiganit?

Shpesh e ripërdorim vajin e tiganit pa u menduar gjatë. Por sa herë mund të përdoret realisht dhe kur është momenti për ta hedhur? Përgjigjja nuk lidhet me një numër të caktuar përdorimesh, por me disa shenja që shumica prej nesh i anashkalojnë.
E lëmë vajin në tigan për “edhe një herë” dhe më pas edhe një tjetër, derisa nuk dimë më nëse duhet ta përdorim apo ta hedhim. Shpesh, pas përdorimit të dytë, vaji nuk u jep më ushqimeve të skuqura ngjyrën e artë dhe lë në gojë një ndjesi të pakëndshme yndyre.
Nuk ekziston një numër i përcaktuar përdorimesh. Në kuzhinën e shtëpisë, i njëjti vaj mund të përdoret 2 deri në 4 herë, nëse është ruajtur dhe trajtuar siç duhet.
Megjithatë, nëse vaji ndryshon ngjyrë ose erë, krijon shkumë në sipërfaqe apo fillon të nxjerrë tym më lehtë, duhet ta hedhim.
Sa herë mund të përdorim të njëjtin vaj?
Në praktikë, numri i përdorimeve varet nga mënyra se si është përdorur vaji. Ndryshe është skuqja e patateve dhe ndryshe skuqja e ushqimeve të lyera me miell ose e peshkut. Mbetjet e miellit dhe thërrimet digjen dhe përshpejtojnë prishjen e vajit.
Po kështu, sa më gjatë të qëndrojë vaji në zjarr dhe sa më e lartë të jetë temperatura, aq më shpejt degradohet ai.
Prandaj, dy procese skuqjeje nuk janë domosdoshmërisht të njëjta. Një vaj i pastër mund të përballojë disa përdorime, ndërsa një vaj që është djegur mund të konsiderohet i papërshtatshëm që pas përdorimit të parë.
Si ta kuptojmë që vaji është prishur?
Këtu qëndron edhe dallimi kryesor, nuk duhet të mbështetemi vetëm te numri i herëve që e kemi përdorur, por te shenjat që tregon vaji.
Ka marrë një ngjyrë dukshëm më të errët
Ka një erë të fortë ose të rëndë
Krijon shkumë në sipërfaqe
Fillon të nxjerrë tym më lehtë se më parë
Është bërë më i trashë
Nëse vëmë re një prej këtyre shenjave, vaji nuk është më i përshtatshëm për t’u përdorur sërish.
Në çfarë temperature prishet vaji?
Pika e tymosjes është temperatura në të cilën vaji fillon të nxjerrë tym dhe të shpërbëhet. Nga ky moment, nuk ndikohet vetëm shija, por edhe cilësia e vajit.
Sipas llojit të vajit, pika e tymosjes mund të ndryshojë. Për shembull:
Vaj ulliri ekstra i virgjër: rreth 160–190°C
Vaj ulliri i rafinuar: deri në 220°C
Vaj luledielli: rreth 220–230°C
Nëse vaji nxjerr tym gjatë skuqjes, ai ka filluar tashmë të degradohet dhe nuk duhet të përdoret sërish.
A mund të përziejmë vajin e vjetër me vaj të freskët?
Sipas studimeve, përzierja e vajit të përdorur me vaj të freskët nuk rekomandohet. Vaji i vjetër mund të ndikojë në cilësinë e vajit të ri dhe të përshpejtojë degradimin e të gjithë përzierjes.
Kur vaji nuk është më i përshtatshëm për përdorim, nuk duhet ta derdhim në lavaman. Vaji nuk tretet në ujë, mund të ngjitet në tubacione dhe me kalimin e kohës të shkaktojë bllokime.
Mënyra e duhur është e thjeshtë:
E lëmë vajin të ftohet
E transferojmë në një enë të mbyllur
E hedhim në mbeturina ose e çojmë në pikat e grumbullimit të vajrave të përdorur, aty ku këto shërbime ofrohen
Në shumë zona, vaji i përdorur mund të riciklohet dhe të shfrytëzohet, për shembull, për prodhimin e biokarburanteve.
Gabimi që bëjmë më shpesh
Mendojmë se cilësia e vajit përcaktohet nga numri i herëve që e kemi përdorur. Në të vërtetë, degradimi i tij ndikohet nga temperatura, mbetjet e ushqimit dhe mënyra se si e menaxhojmë gjatë dhe pas skuqjes.
Për këtë arsye, e njëjta sasi vaji mund të përdoret disa herë ose të duhet të hidhet që pas përdorimit të parë.




