Protestat dhe trazirat në shkollat franceze janë përshkallëzuar dhe janë shoqëruar me episode gjithnjë e më të dhunshme.
Gjatë ditës janë arrestuar 625 persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm francez, Laurent Núñez, në Paris.
“Në total, janë plagosur 83 policë dhe 32 mësues e nxënës”, deklaroi ministri.
Sipas tij, protestat kanë prekur 356 shkolla në vend.
Dhuna është intensifikuar ndjeshëm, ndërsa në disa shkolla janë raportuar dëmtime dhe shkatërrime të ambienteve, si dhe zjarre të qëllimshme. Gjithashtu, janë djegur edhe automjete në pronësi të mësuesve.
Protestat nisën të premten në shkollat e mesme në zonat përreth Parisit dhe më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit.
Nxënësit dhe protestuesit kundërshtojnë mungesën e burimeve dhe fondeve për shkollat, mungesën e mësuesve, si dhe gjendjen e amortizuar të ndërtesave shkollore.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se shqetësimet e të rinjve janë të justifikuara, por theksoi se kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë dhunën apo sulmet ndaj policëve, mësuesve dhe gazetarëve që raportojnë protestat.
I pyetur për mundësinë e përdorimit të dhunës nga policia gjatë protestave, Macron tha se efektivët duhet të respektojnë detyrat dhe rregullat e tyre profesionale, ndërsa çdo shkelje duhet të hetohet dhe të ndëshkohet.
Megjithatë, ai shtoi se, sipas tij, dhuna vjen kryesisht nga personat që kanë shtyrë dhe goditur me shkelma mësuesit.


