E enjte, 1 Tetor 2026 7 PA 5 Live deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

“Na përgjojnë në qeli”, shqiptarët dhe të burgosurit e tjerë përleshen me policinë italiane, kaos në burgun e Pisës

Një revoltë shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në burgun Don Bosco në Pisa, pasi disa të burgosur zbuluan pajisje përgjimi në qelitë e tyre.

Rreth 40 të burgosur morën kontrollin e një reparti të burgut. Ata kërkuan të takonin komandantin e policisë penitenciare dhe drejtoren e burgut.

Reklamë

Situata u qetësua vetëm pas disa orësh negociata dhe ndërhyrjes së forcave të policisë. Disa prej të burgosurve, që dyshohet se ishin organizatorët e revoltës, u transferuan në burgje të tjera në Toskanë.

Revolta nisi pas një videoje live në TikTok

Protesta duket se nisi rreth orës 19:00, kur një i burgosur nisi një transmetim live në TikTok nga brenda burgut. Ai përdorte një telefon celular, edhe pse përdorimi i telefonave nga të burgosurit është i ndaluar.

Transmetimi u ndoq nga rreth 15 mijë persona, përpara se të ndërpritej.

Në video, disa të burgosur folën në italisht dhe shqip. Ata pretenduan se ishin dhunuar me shkopinj nga efektivët e policisë. Gjithashtu, kundërshtuan vendosjen e pajisjeve të përgjimit në qelitë e tyre.

Sipas tyre, ata duhet të kenë mundësi të flasin lirshëm në qelitë e tyre dhe pa frikën se bisedat po regjistrohen.

Gjatë revoltës pati përplasje mes disa të burgosurve dhe efektivëve të policisë. Në burg u dërguan edhe ambulanca për të dhënë ndihmë mjekësore.

Raportohet gjithashtu se mund të jetë përdorur gaz lotsjellës për të rikthyer situatën nën kontroll.

Pajisjet e përgjimit nuk ishin i vetmi shkak i protestës. Të burgosurit kundërshtuan edhe mbipopullimin dhe kushtet higjieno-sanitare në burg.

Ndërkohë, jashtë burgut u mblodhën dhjetëra familjarë dhe miq të të burgosurve, të shqetësuar për situatën.

Pas negociatave, rreth 50 të burgosur u larguan nga pjesa e burgut që kishin marrë nën kontroll. Një grup prej rreth 30 personash qëndroi ende brenda dhe kërkoi të fliste me një ndërmjetës që pritej të mbërrinte nga Firence.

Gjatë natës, situata u rikthye nën kontroll.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.