Qytetarë nga e gjithë Kosova pritet të mblidhen sot në Prishtinë në marshin për drejtësi me moton “Jo në emrin tim”, të organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Marshi do të nisë në orën 16:00 dhe vjen pas protestave të zhvilluara gjatë 15 ditëve të fundit, pas dënimeve me gjithsej 81 vite burgim të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe kanë paralajmëruar se në marsh pritet të marrin pjesë edhe figura të njohura politike e publike.
Sipas tyre, data 1 tetor është zgjedhur me simbolikë, pasi lidhet me protestën studentore të 1 tetorit 1997, një prej momenteve të rëndësishme të rezistencës paqësore në Kosovë.
Platforma “Liria ka emër” kërkon unifikimin e spektrit politik, hartimin e një strategjie institucionale dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Marshi pritet të zhvillohet në qendër të Prishtinës, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të përcjellin mesazhin “Jo në emrin tim”.













