“Unë e vrava, më vjen keq”, ekzekutoi shqiptarin me plumb pas koke, italiani pranon krimin, u jep familjarëve të viktimës 5 mijë euro

Moreno Violetto, i akuzuar për vrasjen e ish-gardianit shqiptar të burgut, Fatos Cenaj, ka pranuar autorësinë e krimit gjatë seancës së parë të procesit gjyqësor.
Violetto u paraqit të mërkurën, më 30 shtator, para gjykatës së Assizes, ku deklaroi se ishte penduar për atë që kishte bërë.
“Nuk e di çfarë më kaloi në mendje në atë moment. Pendohem për atë që kam bërë”, mësohet të ketë thënë ai para gjykatës.
Pas deklaratës së tij, i akuzuari dorëzoi një çek prej 5 mijë eurosh, në favor të familjarëve të viktimës, të cilët janë paraqitur si palë civile në proces.
Ngjarja ndodhi më 8 qershor 2025, në zonën Casoni të Fontanivës, në Itali. Fatos Cenaj, ish-gardian burgu me origjinë shqiptare, u gjet i shtrirë dhe në gjendje të rëndë pranë biçikletës së tij, në një rrugë fshati.
Në fillim u dyshua se kishte pësuar një aksident. Por pas dërgimit me urgjencë në spitalin e Padovës, mjekët zbuluan se ai ishte qëlluar në kokë me armë zjarri.
Cenaj qëndroi në gjendje të rëndë për tre ditë, përpara se të ndërronte jetë.
Hetimet e karabinierëve zgjatën rreth gjashtë muaj. Violetto, i cili nuk kishte precedentë penalë dhe banonte pranë shtëpisë së viktimës, u arrestua pasi hetuesit mblodhën prova që e lidhën me ngjarjen.
Cenaj ishte qëlluar pas veshit nga një distancë më pak se 10 metra.
Arma e përdorur në krim nuk është gjetur. Hetuesit dyshojnë se ajo mund të jetë prodhuar në mënyrë artizanale nga Violetto. Edhe plumbi që shkaktoi vdekjen e Cenajt nuk është gjetur.
Sipas hetimeve, shkak i konfliktit dyshohet se kanë qenë mosmarrëveshjet lidhur me kufijtë e pronave.




