Ursula von der Leyen sot në Kosovë, takon Haxhiun dhe Kurtin

Pas vizitës në Tiranë, Ursula von der Leyen udhëton sot drejt Prishtinës, në vijim të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja e Komisionit Europian do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në qendër të takimeve pritet të jenë hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, procesi i integrimit gradual dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Vizita në Prishtinë vjen një ditë pas qëndrimit të von der Leyen në Tiranë, ku ajo u takua me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Pas Kosovës, presidentja e Komisionit Europian do të ndalet në Podgoricë, ndërsa turi i saj në Ballkanin Perëndimor do të përfundojë më 2 tetor në Shkup.
Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë pjesë e këtij turi. Sipas Komisionit Europian, vizitat në këto dy vende do të zhvillohen në një moment të mëvonshëm, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme që mbahen atje.




