Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kanë reaguar pozitivisht ndaj rihapjes së debatit në Britaninë e Madhe për një afrim të ri me Bashkimin Europian, deri te mundësia e rikthimit të plotë në bllok.
Macron e cilësoi si një zhvillim pozitiv gatishmërinë e Londrës për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve me BE-në, ndërsa Sánchez u shpreh se Britania do të pritej “me krahë hapur” nëse në të ardhmen do të vendoste të ndiqte sërish rrugën e anëtarësimit.
Deklaratat vijnë pasi qeveria britanike hapi diskutimin për modelet e ardhshme të marrëdhënieve me Brukselin. Mes alternativave që po diskutohen janë afrimi me tregun e përbashkët, një bashkim doganor ose, në një skenar më afatgjatë, aplikimi për anëtarësim.
Një rikthim i Britanisë në BE nuk do të ishte automatik. Londra do të duhej të paraqiste një kërkesë të re dhe të zhvillonte negociata me 27 vendet anëtare, ndërsa çdo marrëveshje do të kërkonte miratimin sipas procedurave të BE-së.
Një nga çështjet më të ndjeshme do të ishte lëvizja e lirë e qytetarëve, një temë që luajti rol të rëndësishëm në referendumin e Brexit-it të vitit 2016.
Debati po rihapet në një moment kur Londra dhe Brukseli po kërkojnë gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë në tregti, mbrojtje, energji dhe siguri.
Macron dhe Sánchez u ndalën edhe te një tjetër shqetësim i përbashkët europian: konkurrenca ekonomike nga Kina.
Franca dhe Spanja kërkojnë masa më të forta për mbrojtjen e industrisë europiane, veçanërisht sektorit të automobilave, nga kompanitë kineze që po zgjerojnë prodhimin dhe shitjet në kontinent.
Dy liderët kërkojnë që investimet kineze në Europë të shoqërohen me kushte për transferimin e teknologjisë, prodhimin lokal dhe mbrojtjen e vendeve të punës.
Deklaratat e Macron dhe Sánchez tregojnë se në disa kryeqytete europiane ekziston gatishmëri për një marrëdhënie më të afërt me Londrën. Por çdo rikthim i mundshëm i Britanisë në BE do të kërkonte një proces të gjatë politik dhe negociator.
Lini një Përgjigje