Një 37-vjeçar shqiptar është dënuar me 8 vite, 10 muaj e 20 ditë burg në Itali, pasi tentoi të vriste të atin gjatë një konflikti familjar në Genova.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi në nëntor të vitit të kaluar, kur 37-vjeçari sulmoi të atin me thikë, duke e goditur në bark. Ai tentoi ta godiste sërish, por babai arriti të shpëtonte dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë.
Pas sulmit, 37-vjeçari u mbyll në banesë dhe, me thikën në dorë, kërcënoi edhe vëllain e tij gjatë një videotelefonate. Ai u arrestua rreth një javë pas ngjarjes.
Sipas prokurores, tentativa e vrasjes ishte paraprirë nga episode të shumta dhune ndaj familjarëve, ndërsa sjellja e tij lidhej me varësinë nga kokaina.
Gjatë caktimit të masës së sigurisë, 37-vjeçari mohoi se kishte pasur qëllim të godiste të atin me thikë dhe kërkoi falje për veprimet e tij. Megjithatë, këto deklarime nuk mjaftuan për të lehtësuar dënimin.
37-vjeçari është i vetmi anëtar i familjes së tij që nuk ka marrë nënshtetësinë italiane. Pas përfundimit të dënimit, ai pritet të dëbohet nga Italia.












