Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë ka dalë me një qëndrim zyrtar në lidhje me ndryshimet që priten të bëhen në Kodin e Procedurës Penale.
Përmes një postimi në kanalin zyrtar, ata theksojnë se kjo qasje e qeverisë së bashku me formuluesit e Kodit të ri, kërkon të zhbëjë efektivitetin hetimor për veprat penale me natyrë korruptive apo të krimit të organizuar.
Prokurorët kërkojnë proces konsultimi real, duke përfshirë dhe debatin profesional për të konkluaduar në një produkt sa më të drejtë dhe efektiv. Në postimin e bërë në kanalin zyrtar thuhej:
“Drejtësia penale kërkon garanci të forta për të drejtat e njeriut dhe hetime efektive në mbrojtje të viktimave të veprës penale dhe interesit publik. Ruajtja e këtij ekuilibri duhet të jetë në themel të çdo ndërhyrjeje në Kodin e Procedurës Penale.
Shoqata e Prokurorëve shpreh shqetësimin për ndryshimet e propozuara, të cilat rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet e kërkimit të provës dhe të dobësojnë efektivitetin e ndjekjes penale, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Prokurori, si magjistrat i pavarur, ka përgjegjësinë të zhvillojë hetime të plota e të gjithanshme, duke mbledhur prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie kërkon mjete efektive hetimore, të shoqëruara me kontroll gjyqësor dhe garanci për të drejtat e çdo individi.
Ndryshimet që prekin themelet e procedimit penal kërkojnë analiza të thelluara të praktikës dhe vlerësim të plotë të ndikimit të tyre. Ndërthurja mekanike e zgjidhjeve nga modele të ndryshme procedurale, pa respektuar arkitekturën institucionale të sistemit shqiptar, rrezikon të krijojë paqartësi dhe një sistem atipik. Çdo ndryshim duhet të avancojë standardet e Reformës në Drejtësi, duke ruajtur rolin drejtues të prokurorit në hetim dhe kontrollin gjyqësor si garanci plotësuese të ligjshmërisë dhe të të drejtave.
Zbulimi i të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit, kufizimi i masave të sigurimit personal dhe pengesat për zgjerimin e hetimit drejt fakteve të reja të lidhura rrezikojnë ruajtjen e provave, sekretin hetimor dhe efektivitetin e hetimeve, veçanërisht për çështjet qe lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Gjithashtu, pavlefshmëria e akteve dhe papërdorshmëria e provave duhet të lidhen me rëndësinë e shkeljes dhe ndikimin e saj mbi provën ose të drejtat e mbrojtjes, pa u kthyer në pasoja automatike që rrezikojnë të gjithë çështjen penale.
Shoqata e Prokurorëve kërkon një proces konsultimi real, gjithëpërfshirës e me kohën e nevojshme për debat profesional, si dhe mbetet e angazhuar për të vijuar me një analizë më të thelluar të projektligjit”.
Kujtojmë që ditën e djeshme kryeministri Edi Rama bëri me dije përmes një konference për mediat, ndryshimet që priten të prekin Kodin e Procedurës Penale. Dhe menjëherë sot, ka ardhur ky reagim nga Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë.
