Konferenca e Kryetarëve është mbledhur këtë të enjte, për të shqyrtuar kërkesën e PD për zhvillimin "Mocion për zhvillimin debatit” me objekt përgjegjësitë institucionale lidhur me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-Drejtores së SHISH, znj. Vlora Hyseni.
Në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi u shpreh se mocioni për debat që kërkon opozita nuk lidhje me hetimet e prokurorisë.
‘Tani nuk bëhet fjalë për një kriminel ordiner. Është absurde të thuash që çdo institucion tjetër ka rol në këtë diskutim, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të shmanget nga ky diskutim. Nuk mund të ndodhë kjo’, është shprehur Bardhi.
Sipas demokratit, emërimi i Vlora Hysenit është bërë nga kryeministri Edi Rama, ndaj duhet të jetë ky i fundit që duhet të vijë të japë llogari.
Konferenca e Kryetareve
Kërkesa e Partise Demokratike për zhvillimin "Mocion për zhvillimin debatit” me objekt përgjegjësitë institucionale lidhur me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-Drejtores së SHISH, znj. Vlora Hyseni.
Gazment Bardhi: Mendoj se parafolësi është i lumtur për këtë çështje. Sepse ka arsye të jetë i lumtur për zhvillimet e fundit dhe arsyet dihen. Por, me sa kuptoj, lumturinë e tij ia prish halli i Edi Ramës dhe bëhet edhe ai i palumtur kot, sepse unë besoj që ka arsye të gëzohet.
Së dyti, mocioni për debat që kërkon opozita nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë po bën prokuroria. Nuk ka asnjë rresht në kërkesën tonë për zhvillimin e mocionit që i referohet hetimeve të prokurorisë. Por ne jetojmë në Shqipëri, ka një akt të Kryeministrit dhe të Presidentit që ka dekretuar shkarkimin e shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, sepse, sipas informacioneve, aq sa ç’kanë rrjedhur nga hetimet e prokurorisë, rezulton që të ketë ndihmuar një person në kërkim nga drejtësia dhe ta ketë furnizuar atë me informacione të klasifikuara dhe bëhet fjalë për një person, kreun e një grupi të strukturuar kriminal.
Tani nuk bëhet fjalë për një kriminel ordiner. Është absurde të thuash që çdo institucion tjetër ka rol në këtë diskutim, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të shmanget nga ky diskutim. Nuk mund të ndodhë kjo.
Ngjarja që ka ndodhur, nuk e di, e kuptoni apo jo, por është një ngjarje që mund të ndodhë njëherë në 100 vite. Si rregull, nuk duhet të ndodhë fare në një shtet normal, por mund të ndodhë një herë në 100 vite që shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror të vihet në dispozicion të kreut të një grupi të strukturuar kriminal. Dhe kjo gjë nuk erdhi në mungesë informacioni. Opozita e ka thënë këtë informacion prej të paktën dy vitesh e gjysmë.
Dhe ju keni bërë një qasje: institucionit, institucionit, institucionit! Cilët institucione? Institucionet që janë përgjegjëse për situatën. Po ç’hyn SPAK-u te kërkesa jonë për mocion me debat? Ne kemi kërkuar mocion me debat. Ç’punë kemi ne me SPAK-un? SPAK-u është duke e bërë punën e vet dhe, po të duam ne ta ndalojmë, nuk e ndalojmë dot! Po të doni ju, domethënë.
Kur kishit në dorë për të penguar, siç ishte rasti i Belinda Ballukut, i zbrazëm të gjithë bateritë tuaja. 82 vota, për të penguar Prokurorinë e Posaçme që të hetonte në mënyrë të pavarur. Ai shefi juaj që na e tha se ju nuk pengoni! E penguam pra në mars, të gjithë ju që jeni këtu, përjashto dy a tre veta nga grupi juaj parlamentar, ngritët dorën për të penguar një kërkesë procedurale të prokurorisë për të arrestuar Belinda Ballukun.
Pra, kur ju e keni në dorë, pengoni. Te Vlora s’keni gjë në dorë. Nuk vjen te Kuvendi ajo, se po të kishit dorë, ishin bërë barrikada tek dera hyrëse e Kuvendit. S’kishit lënë prokurorë që të hynte këtu. E kishit futur Vlorën brenda e kishit mbyllur te zyra e Nikos dhe e kishit marrë në mbrojtje, s’ka asnjë diskutim kjo! Po këtu s’keni gjë në dorë. Fatmirësisht.
Thoni: do lëmë drejtësinë të hetojë. Po kush po e pengon drejtësinë? Drejtësia e ka punën e vet. Kuvendi ka punën e vet. Jo. Nuk kemi kërkuar ne as të marrim në pyetje prokurorët, as të marrim të dhëna nga dosja hetimore, se është sekret hetimor, as të pengojmë prokurorinë në këtë çështje. Kemi kërkuar të diskutojmë çështje që janë kompetencë e institucionit që ky Kuvend kontrollon.
A ka përgjegjësi Kryeministri në këtë rast? Po pse vetëm prokuroria e ka për detyrë të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar? Po e gjithë pjesa tjetër e sistemit, SHISH, Policia, Ministria e Brendshme, a kanë për detyrë ta luftojnë korrupsionin edhe krimin e organizuar? E ka përgjegjësi Kryeministri për të luftuar edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar. Ka përgjegjësi ekzekutive për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Dhe kur të vjen parlamenti, opozita dhe të thotë: shefin e shërbimit që, në ditën e emërimit, shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, ta ka emëruar një eksponent që rri nga mëngjesi deri në darkë në krimin e organizuar dhe ka të dhëna të besuara që shefja e shërbimit është vënë në shërbim të grupeve kriminale. Çfarë bëtë ju?
Vlorën e ka emëruar Edi Rama. Duhet të vijë të japë llogari Edi Rama. Dhe Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të lejohet të ushtrojë funksionet e veta.
Ju nuk njihni sigurinë kombëtare. Ju njihni sigurinë e Gysit. Ne themi: hajde e flasim për sigurinë kombëtare. Ju thoni jo! Sigurinë kombëtare ia kemi besuar Gysit. Nxirrni Gysin nga burgu dhe mërojeni nënkryetar, dhe e plotësoni këtë gjë. I jepni zgjidhje!
Kryeministër, të vijë dhe të ma thotë cili shërbim i huaj ia kërkoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it. Sepse mund të jetë edhe shërbimi informativ serb. Prandaj do të duhet të vijë ta thotë këtu cili shërbim.
© SYRI.net