Prokuroria ka sekuestruar 2, 6 milionë euro në llogaritë bankare te biznesmenit Kastriot Hasko dhe një makinë luksoze “Bentley”. 72-vjeçari gjendet në arrest shtëpie, pasi dyshohet se me dokumente false përfitoi mbi 1 mijë hektarë tokë në Seman. Për këtë çështje, u arrestuan 2 ish-drejtorët e Kadastrës së Fierit dhe juristi.
Teksa gjendet në arrest shtëpie, biznesmenit Kastriot Hasko i janë sekuestruar 2,6 milionë euro në llogaritë bankare, të cilat, prokuroria dyshon se i ka përfituar në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu u sekuestrua një makinë luksoze “Bentley”, model “Flying Spur”, i vitit 2024, me vlerë 250 mijë euro. Hasko është nën hetim për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Ai dyshohet se ka përfituar përmes dokumenteve false një sipërfaqe te madhe, mbi 1 mijë hektarë, në bregdetin e Semanit.
Hetimet nisën në vitin 2025 kur Hasko paraqiti pranë Kadastrës së Fierit dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në bazë të këtyre dokumenteve, arriti të regjistrojë në bashkëpronësi me 4 persona të tjerë një sipërfaqe prej 1 mijë e 143 hektarë tokë, në zonat e Semanit dhe Sheq Marinas. Por skema nuk u ndal me regjistrimin e pronës. Tjetërsimi vijoi përmes një prokure të posaçme, gjithashtu të falsifikuar. 72-vjeçari, tashmë në rolin e pronarit, ua shiti tokën dy shoqërive të ndryshme.
Pjesë e kësaj dosjeje janë dhe dy ish-drejtorët e Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj si dhe juristi Piro Çela. Sipas prokurorisë ata regjistruan pronat në mënyrë të paligjshme duke mos kryer verifikim pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronës. Të tre zyrtarët janë në masë sigurie “arrest me burg”, caktuar nga gjykata e Fierit dy javë më parë.
Sakaq, Kastriot Hasko është ortaku i Vasil Bedinajt, i përfshirë në konfliktin për pronat në Palasë me biznesmenin Luan Muça.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento