“Rrezikojnë hetimet”, Shoqata e Prokurorëve e shqetësuar për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale

Nga A2 CNN
1 Tetor 2026, 10:21 | Kronikë

 “Rrezikojnë hetimet”, Shoqata e Prokurorëve e
Shoqata e Prokurorëve ka shprehur shqetësimin për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se ndërhyrjet e reja mund të dobësojnë efektivitetin e hetimeve dhe ndjekjes penale.

Në reagimin e saj, Shoqata thekson se çdo ndryshim në Kod duhet të ruajë ekuilibrin mes garantimit të të drejtave të njeriut dhe nevojës për hetime efektive në mbrojtje të viktimave dhe interesit publik.

Sipas prokurorëve, ndryshimet e propozuara rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet për kërkimin e provave dhe të ndikojnë veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

REAGIMI

Drejtësia penale kërkon garanci të forta për të drejtat e njeriut dhe hetime efektive në mbrojtje të viktimave të veprës penale dhe interesit publik. Ruajtja e këtij ekuilibri duhet të jetë në themel të çdo ndërhyrjeje në Kodin e Procedurës Penale.

Shoqata e Prokurorëve shpreh shqetësimin për ndryshimet e propozuara, të cilat rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet e kërkimit të provës dhe të dobësojnë efektivitetin e ndjekjes penale, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Prokurori, si magjistrat i pavarur, ka përgjegjësinë të zhvillojë hetime të plota e të gjithanshme, duke mbledhur prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie kërkon mjete efektive hetimore, të shoqëruara me kontroll gjyqësor dhe garanci për të drejtat e çdo individi.

Ndryshimet që prekin themelet e procedimit penal kërkojnë analiza të thelluara të praktikës dhe vlerësim të plotë të ndikimit të tyre. Ndërthurja mekanike e zgjidhjeve nga modele të ndryshme procedurale, pa respektuar arkitekturën institucionale të sistemit shqiptar, rrezikon të krijojë paqartësi dhe një sistem atipik. Çdo ndryshim duhet të avancojë standardet e Reformës në Drejtësi, duke ruajtur rolin drejtues të prokurorit në hetim dhe kontrollin gjyqësor si garanci plotësuese të ligjshmërisë dhe të të drejtave.

Zbulimi i të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit, kufizimi i masave të sigurimit personal dhe pengesat për zgjerimin e hetimit drejt fakteve të reja të lidhura rrezikojnë ruajtjen e provave, sekretin hetimor dhe efektivitetin e hetimeve, veçanërisht për çështjet qe lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Gjithashtu, pavlefshmëria e akteve dhe papërdorshmëria e provave duhet të lidhen me rëndësinë e shkeljes dhe ndikimin e saj mbi provën ose të drejtat e mbrojtjes, pa u kthyer në pasoja automatike që rrezikojnë të gjithë çështjen penale.

Shoqata e Prokurorëve kërkon një proces konsultimi real, gjithëpërfshirës e me kohën e nevojshme për debat profesional, si dhe mbetet e angazhuar për të vijuar me një analizë më të thelluar të projektligjit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos