Pas sakndalit, Diddy me trajtim VIP në burg: Celular, alkool dhe shërbime nga ish e dashura

Sean “Diddy” Combs pretendohet se po përfiton trajtim të privilegjuar gjatë qëndrimit në burg, duke pasur akses në celular, alkool dhe shërbime nga të burgosur të tjerë. Sipas raportimeve të NBC News, të cilat bazohen në dëshmi të katër ish-bashkëvuajtësve të tij, disa të burgosur gatuajnë dhe pastrojnë për të, ndërsa të tjerë pretendohet se i bëjnë edhe masazhe.
Një prej të burgosurve i tha NBC News se disa persona paguhen për t’i pastruar tualetin dhe dushin Combs, ndërsa për të përgatiten fshehurazi ushqime jashtë menusë së burgut, përfshirë pulë me kerri, pica dhe empanadas. “Këto nuk janë gjëra normale që sheh në burg. Janë gjëra që bëjnë të pasurit”, deklaroi ai, sipas medias amerikane.
Dëshmitë pretendojnë gjithashtu se Combs ka përdorur një telefon celular për të parë Instagramin dhe fotografi me përmbajtje seksuale që i janë dërguar nga një ish-partnere. Sipas të njëjtave dëshmi, ai ka pasur edhe akses në alkool të kontrabanduar në burg, i cili dyshohet se futet me ndihmën e disa punonjësve të burgut dhe më pas ndahet mes një grupi të vogël të dënuarish. Një prej tyre deklaroi se kishte pirë alkool bashkë me Combs.
Përfaqësuesi i Combs i ka hedhur poshtë rëndësinë e këtyre pretendimeve, duke thënë se mediat po e paraqesin jetën e përditshme të një të burgosuri si lajm. Byroja Federale e Burgjeve në SHBA nuk komentoi konkretisht akuzat, duke iu referuar çështjeve të sigurisë dhe privatësisë, por konfirmoi se futja e sendeve të ndaluara, përfshirë celularët dhe drogën, mbetet një problem në burgjet federale dhe se pretendimet për shkelje nga punonjësit hetohen kur është e nevojshme.
Combs është dënuar për dy akuza që lidhen me transportimin e personave me qëllim prostitucioni dhe është dënuar me 50 muaj burg. Pas qëndrimit në qendrën federale të paraburgimit në Brooklyn, ai u transferua në burgun Fort Dix në New Jersey. Sipas të dhënave aktuale të cituara në raportime, lirimi i tij është planifikuar për 21 janar 2028.




