E enjte, 1 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Tabaku: Mbledhja e Këshillit të Sigurisë pa përfaqësues të opozitës jo transparente! Zhupa: Balla e ka marrë fikjen e radarëve si histori dashurie

Në Konferencën e Kryetarëve është diskutuar kërkesa e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat mbi përgjegjësitë institucionale lidhur me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cilësoi çështjen me rëndësi kombëtare dhe kërkoi që ajo të mos trajtohet si një debat partiak. Tabaku ngriti shqetësimin për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë pa përfaqësues të opozitës, duke argumentuar se mungesa e transparencës e bën edhe më të nevojshëm debatin në Kuvend.

Reklamë

Sipas Tabakut, kërkesa e opozitës nuk lidhet me objektin e hetimit të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa theksoi se Kryeministri duhet të japë shpjegime për përgjegjësitë institucionale që lidhen me emërimin dhe mbikëqyrjen e ish-drejtoreshës së SHISH. Ajo akuzoi shumicën se po e përdor Kuvendin si “mburojë politike” dhe solli në vëmendje edhe rastin e Belinda Ballukut.

Jorida Tabaku: Së pari, më lejoni të them që ju besoj më mirë se të gjithë të tjerët se keni qenë ish-ministër i Mbrojtjes, por edhe kolegë të tjerë, si z. Mediu dhe të tjerë që kanë punuar në fushën e mbrojtjes, e dini rëndësinë që ka kjo çështje. Për ta trajtuar këtë si një çështje kombëtare, jo si një çështje qoftë partiake, qoftë të diskutimeve të njëanshme nga maxhoranca.

Unë së pari dua të ngre shqetësimin që mbledhja e Këshillit të Sigurisë, pa përfaqësues nga opozita, për mua ishte jo vetëm e njëanshme, por ishte njëkohësisht një vendim i cili nuk ofroi transparencë. Sepse, në qoftëse transparenca do të ishte ofruar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar atje disa nga shqetësimet që ka ngritur opozita, do të ishim sigurisht duke diskutuar në një prizëm tjetër.

Fakti që mbledhja e Këshillit të Sigurisë u mblodh nga të njëjtët persona, të cilët do të ishin edhe ulur në tryezë, të cilët kanë pasur në dorë ta parandalojnë, ta kontrollojnë, ta monitorojnë këtë fenomen që nuk ishte i ri për opinionin publik, as për politikën, sepse ne e kemi denoncuar për vite me radhë. Dhe aty ishin po ata që mund ta kishin marrë vendimin dhe nuk e morën.

Për mua, e bën jashtëzakonisht të nevojshëm debatin parlamentar. E dëgjova me shumë interes kolegun parafolës dhe unë nuk e di se në cilën nga pikat që kërkon Prokuroria e Posaçme dhe është duke hetuar Prokuroria e Posaçme, lidhen kërkesat e Partisë Demokratike.

Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar, duke kontrolluar, hetuar faktin që shtetasja Vlora Hyseni ka ndihmuar, nëpërmjet furnizimit me të dhëna dhe informacion të klasifikuar, shtetasin Ergys Agasi, i cili është i akuzuar për një sërë veprash penale.

Ndërkohë që kërkesat që ne kemi bërë nuk lidhen me objektin e hetimit nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Kryeministri do të duhet të vijë e të japë përgjigje! Fatkeqësisht, ky parlament nuk mund të përdoret për mburojë politike. E përdorët për Belinda Ballukun, tani po e përdorni për Vlora Hysenin. E keni kthyer në normë. Është e papranueshme.

Në të njëjtën linjë, deputetja Ina Zhupa tha se mocioni synon të trajtojë çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe mekanizmat e kontrollit institucional. Ajo përmendi edhe çështjen e fikjes së radarëve, duke kërkuar që në Kuvend të diskutohet nëse dhe në çfarë mase kjo ka cenuar sigurinë kombëtare dhe kontrollin e territorit.

Zhupa ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi procesin e verifikimit të Vlora Hyseni përpara emërimit në krye të SHISH, duke argumentuar se Kuvendi duhet të kërkojë përgjigje mbi mekanizmat e kontrollit të përdorur nga Kryeministri.

Ina Zhupa: Çdo mocion me debat shtrohet për shkak të një problemi dhe në fillim nuk thotë as mesazhet e Vlorës me Gysin, as dëshmitarët, as u fikën apo nuk u fikën radarët. Dhe nëse zoti Balla e ka marrë fikjen e radarëve si një histori dashurie, mund të jetë perceptimi i tij. Ne e kemi marrë fikjen e radarëve, siç e ka marrë çdo shqiptar, si cenim të sigurisë kombëtare.

Sepse në këtë vend kemi parë që fikja e radarëve është bërë për avionë që kalonin me drogë, fikja e radarëve është bërë kur bëhen vrasje njerëzish në Rinas dhe nuk kishte asnjë kamerë që të tregojë se çfarë ka ndodhur. Fikja e radarëve për kontrollin e territorit, kjo është çështje për të diskutuar, se deri ku është cenuar siguria kombëtare, deri në çfarë të dhënash janë dhënë grupeve të strukturuara kriminale.

Duhet të diskutojmë në Parlament apo Parlamenti duhet të bëhet thjesht noter i qeverisë, siç i pëlqen zotit Balla? Ky Parlament ka kompetenca që ia ka dhënë Kushtetuta dhe, sigurisht, do të duhet të kuptojë më shumë se cilat ishin mekanizmat e kontrollit që përdori Kryeministri para se të emëronte Vlorën Hyseni.

Sepse kushdo e di që çdo njeri i shkarkuar nga shërbimet sekrete, qofshin brenda, qoftë të huaja, e ka të pamundur të rikthehet në shërbimet sekrete. Dhe ndërkohë që ajo ishte shkarkuar në Kosovë, ne nuk e morëm thjesht ta fusnim në shërbimet sekrete; ne e bëmë drejtues të shërbimeve sekrete.

Po ta kuptojmë edhe ne se çfarë lloj informacioni mori Kryeministri, se kur na ndodhi një herë, mund të na vijë një Vlorë tjetër, me emrin Durrësi.

Balla thotë se të gjitha institucionet kanë bërë detyrën e tyre, por vetëm Kuvendi, sipas tij, nuk mund ta kryejë detyrën. Kjo është e papranueshme.

Në përfundim, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti mirëkuptimin për kërkesën e PD për mocion me debat dhe vendosi që çështja t’i kalojë seancës plenare për votim.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.