Tech

Teleskopi krijon “yje artificiale” me lazer/Ja pse astronomët i drejtojnë rrezet drejt qiellit!

Në shkretëtirën Atacama të Kilit, gjatë natës mund të shihen rreze të fuqishme lazer që ngrihen drejt qiellit. Ato vijnë nga Very Large Telescope në Paranal dhe kanë një qëllim të veçantë: krijimin e “yjeve artificialë” që ndihmojnë astronomët të shohin më qartë universin. VLT, i operuar nga Observatori Europian Jugor, tashmë mund të përdorë deri në shtatë lazer. Në fund të vitit 2025 përfundoi instalimi i lazerëve të rinj, ndërsa në vitin 2026 katër teleskopët kryesorë, Antu, Kueyen, Melipal dhe Yepun, mund t’i përdorin ata njëkohësisht.

Problemi që astronomët përpiqen të zgjidhin është atmosfera e Tokës. Gazrat atmosferikë shtrembërojnë dritën që vjen nga yjet dhe galaktikat, duke bërë që imazhet e marra nga teleskopët tokësorë të jenë më të paqarta.

Për ta korrigjuar këtë efekt përdoret një teknologji e quajtur “optikë adaptive”. Pasqyrat e teleskopit mund të ndryshojnë formën me shpejtësi për të kompensuar shtrembërimet atmosferike. Por sistemi ka nevojë për një yll të ndritshëm si pikë reference. Kur një i tillë nuk ndodhet në zonën që po vëzhgohet, astronomët e krijojnë artificialisht me lazer.