E enjte, 1 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Lifestyle

Horoskopi i tetorit/ Astrologia: Përfudnon një cikël 8-vjeçar, ç’ndodhë tani me dashurinë, paratë dhe karrierën për 12 shenjat

Astrologia Antigona Kotorri ka shpjeguar lëvizjet kryesore planetare për muajin tetor dhe ndikimin që, sipas astrologjisë, ato mund të kenë te 12 shenjat e zodiakut. E ftuar në “Mes’dritë” në Vizion Plus, astrologia tha se muaji pritet të jetë i ngjeshur me zhvillime astrologjike, me Venusin retrograd në Akrep dhe një takim të rëndësishëm të Venusit me Diellin më 23 tetor.

Çfarë sjell tetori në aspektin astrologjik?
Sipas Kotorrit, Venusi, planeti që lidhet me dashurinë dhe vlerat personale, nis lëvizjen retrograde në shenjën e Akrepit. Kjo periudhë lidhet me rishikimin e marrëdhënieve, vlerave dhe zgjedhjeve të së kaluarës.

Reklamë

Astrologia e lidh këtë periudhë edhe me përfundimin e një cikli tetëvjeçar të të ashtuquajturës “Lulja e Venerës”, një konfigurim që krijon një yll me pesë rreze në zodiak, me pika në Akrep, Bricjap, Dash, Binjakë dhe Luan. Sipas saj, ky konfigurim nuk do të përsëritet në të njëjtën formë për rreth 100 vjet.

Një tjetër moment i rëndësishëm është 23 tetori, kur Venusi dhe Dielli takohen në shkallën zero të Akrepit. Sipas astrologes, kjo mund të shënojë një moment të lidhur me zbulimin e të vërtetave dhe një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet dhe vlerat personale.

Kotorri këshillon që horoskopi të lexohet edhe në bazë të ashendentit, i cili lidhet me përjetimet dhe ngjarjet konkrete të përditshmërisë, shenjës së Diellit, që lidhet me prirjet shpirtërore dhe afatgjata, si dhe Hënës, që lidhet me botën emocionale.

Parashikimi për 12 shenjat e zodiakut

  1. Dashi
    Dashi gjendet në një moment transformimi personal. Personat e kësaj shenje që janë lodhur duke punuar apo ndihmuar të tjerët, tashmë ftohen të fokusohen më shumë te vetja.

Në fushën e dashurisë ka lajme shumë të mira, pasi Marsi, planeti i aksionit, dhe Jupiteri, i lidhur me fatin dhe zgjerimin, ndodhen në fushën e ndjenjave, duke krijuar mundësi të favorshme për të rënë në dashuri. Megjithatë, për shkak të Venusit retrograd nga fundi i muajit, mund të shfaqen telashe apo trazira të lidhura me ish-partnerët dhe historitë e së kaluarës.

  1. Demi
    Demat do të jenë mjaft të sfiduar në marrëdhëniet kontraktuale dhe në lidhjet serioze ose zyrtare. Venusi, sunduesi i Demit, në shenjën e Akrepit kërkon origjinalitet dhe nuk pranon iluzione.

Demat do të duhet të përballen me partnerët e tyre për tema të dhimbshme ose tabu. Saturni do të nxjerrë në pah çështje të fshehura, ndërsa brenda shtëpisë do të ketë lëvizje dhe aksion për të kuptuar se çfarë mund të falet dhe çfarë jo.

  1. Binjakët
    Për Binjakët, sfidat kryesore lidhen me punën, profesionin dhe rutinën e përditshme. Do të lindin pikëpyetje nëse puna aktuale ia vlen apo nëse duhet ndryshuar qasja.

Disa prej tyre mund të heqin dorë nga punët e vjetra dhe të detyrohen të futen në tregun e internetit ose në tregje më të gjera. Saturni kërkon hapje drejt drejtimeve të reja, ndërsa Marsi mund të nxisë mosmarrëveshje me njerëzit e përditshmërisë dhe familjarët.

  1. Gaforrja
    Gaforret do të përjetojnë një rikthim të dashurive ose historive të vjetra me njerëz që i njohin nga e kaluara. Sipas astrologes, kjo është një periudhë për të rivlerësuar nëse i kanë paragjykuar apo larguar njerëzit me nxitim, për shkak të ndjeshmërisë së tyre të lartë.

Në karrierë, Saturni u ofron një pozicion ose punë të re, të cilën duhet ta kultivojnë me kujdes. Marsi dhe Jupiteri së bashku krijojnë një periudhë të favorshme financiare për të mbledhur të ardhura.

  1. Luani
    Luanët do të jenë shumë të ndjeshëm në aspektin emocional. Venusi i nxit të rimendojnë nëse ka vlejtur investimi i tyre emocional te personat që kanë pasur pranë.

Me takimin e Venusit me Diellin më 23 tetor, ata do të kuptojnë më qartë se ku e kanë derdhur energjinë e tyre. Saturni sjell mundësi për takime me njerëz nga kultura të tjera, udhëtime ose investime nga jashtë. Sipas astrologes, parimi kryesor për këtë shenjë është: “Çfarë keni mbjellë, do të korrni”.

Marsi, ndërkohë, i nxit Luanët të nisin biznese dhe projekte të reja që lidhen me paraqitjen publike.

  1. Virgjëresha
    Për Virgjëreshat analitike, Venusi do të hapë disa tema të mbetura pezull në rrethin familjar ose mes motrave e vëllezërve, me qëllim përcaktimin e qartë të pozicionit të secilit.

Marsi në fushën e ëndrrave tregon se gjatë dy muajve të ardhshëm mund të shfaqen ëndrra që, sipas astrologes, mund të shërbejnë si treguese ose udhërrëfyese për të ardhmen. Këshilla është që ato të shënohen në një ditar.

Me mbështetjen e Saturnit dhe Neptunit, Virgjëreshat do të punojnë për të rregulluar marrëdhëniet e përditshme. Sipas parashikimit, nuk është momenti i duhur për dashuri të reja apo për investime financiare.

  1. Peshorja
    Për Peshoren, Venusi kthehet për të sistemuar financat dhe borxhet. Kjo konsiderohet një periudhë e mirë për shlyerjen e kredive, marrjen mbrapsht të parave të dhëna dhe stabilizimin e buxhetit.

Saturni në fushën e partneriteteve tregon se partneri që ju ndihmon financiarisht mund të jetë personi i duhur për ju. Ndërkohë, Marsi kërkon më shumë aktivitet në rrjetet sociale, dalje publike, dasma dhe evente ku do të ndieni kënaqësi.

  1. Akrepi
    Me Venusin retrograd në shenjën e tyre, Akrepët janë protagonistët e një transformimi shpirtëror që, sipas astrologes, lidhet me raportin mes vetes dhe egos.

Venusi nuk pranon gjëra gjysmake, ndaj Akrepët janë të detyruar të vendosin një “vijë të kuqe” dhe të largojnë nga jeta e tyre njerëzit që nuk i kanë vlerësuar. Saturni i shpërblen me sukses në punë dhe në rutinën e përditshme për përpjekjet e bëra në të kaluarën.

Ndërkohë, Marsi kërkon angazhim dhe përkushtim edhe më të madh në karrierë.

  1. Shigjetari
    Për Shigjetarin, Venusi në Akrep ndodhet në fushën e të fshehtave. Sipas parashikimit, mund të dalin në dritë skandale ose prapaskena, veçanërisht në fushën e dashurisë.

Marsi që hyn në këtë sferë dhe marrëdhëniet me persona të huaj mund të sjellin zhvillime të papritura. Për këtë arsye, Shigjetari këshillohet të tregohet mjaft i kujdesshëm gjatë kësaj periudhe dhe të mos marrë vendime të nxituara.

  1. Bricjapi
    Gjatë muajit tetor dhe deri në mesin e nëntorit, Bricjapët janë të thirrur të punojnë për të tjerët dhe për shoqërinë nëse duan të marrin vlerësimin që kërkojnë.

Venusi u kërkon të ndryshojnë qasjen, të jenë më të rezervuar me njerëzit e largët dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje rrethit të ngushtë.

Marsi dhe Jupiteri i shtyjnë të mbyllin marrëdhëniet toksike për t’u hapur rrugë lidhjeve të reja. Saturni dhe Neptuni, sipas astrologes, i ndihmojnë të piqen emocionalisht dhe të mësojnë të japin dashuri pa e marrë atë si të mirëqenë.

  1. Ujori
    Ujorët do të përballen me oferta të reja pune, kontrata ose propozime nga ish-punëdhënës të vjetër. Ata duhet të përcaktojnë qartë se cila është vlera kryesore që kërkojnë në karrierë.

Kjo shenjë ka mbështetje të madhe nga partneri ose mundësi për të gjetur një partner që do t’i shtyjë përpara në të ardhmen. Megjithatë, Saturni mund të sjellë disa ngecje ose mungesë mbështetjeje nga njerëzit me të cilët Ujorët kanë kontakte në përditshmëri.

  1. Peshqit
    Peshqit do të kalojnë një transformim të madh në besimet dhe perceptimet e tyre për shkak të lëvizjeve të Venusit dhe Merkurit.

Rreth datës 23 tetor, me takimin planetar në shkallën zero të Akrepit, ata mund të shohin një të vërtetë të re mbi gjërat në të cilat kanë besuar deri tani.

Financat do të jenë pozitive për ata që kanë vendosur kushte dhe çmime të qarta, ndërsa Marsi dhe Jupiteri i përkrahin fuqishëm në sferën e punës.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.