web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Thellohet përplasja e Veliajt me Ramën/ Kryebashkiaku del kundër "Territoriales"

1 Tetor 2026, 11:47, Aktualitet CNA

Thellohet përplasja e Veliajt me Ramën/ Kryebashkiaku del kundër

Përplasja e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, sa vjen dhe thellohet. Një tjetër shkak për këtë është bërë qëndrimi i këtij të fundit për Reformën Territoriale.

Veliaj, bëhet me dije se ka kundërshtuar projektligjin për ndarjen e re territoriale dhe ka kërkuar të pezullohet shqyrtimi përfundimtar nga Kuvendi. Kryebashkiaku është shprehur përmes një letre se nuk është kundër rishikimit të hartës administrativo-territoriale, por, sipas tij, kjo reformë nuk është vizatimi i një harte të re.

“Nuk kam një kundërshtim parimor ndaj rishikimit të hartës administrativo-territoriale. Ndryshimet demografike, ekonomike dhe sociale mund ta bëjnë një rishikim të tillë të nevojshëm. Por reforma administrativo-territoriale nuk është vizatimi i një harte të re. Ajo prek autonominë vendore, përfaqësimin demokratik, ushtrimin e mandatit të organeve të zgjedhura, kompetencat dhe funksionet bashkiake, financat vendore, aksesin e qytetarëve në shërbime dhe marrëdhënien kushtetuese ndërmjet qytetarit dhe pushtetit që ai zgjedh më pranë vetes”, thuhet ndër të tjera në letrën e Veliajt.

Kryebashkiaku shton se ligji për vetëqeverisjen vendore dhe harta e re duhet të trajtohen së bashku.

“Ligji nr. 139/2015 nuk është një ligj teknik për administratën bashkiake. Ai përcakton autonominë, subsidiaritetin, organet, funksionet, kompetencat, financimin dhe marrëdhënien qendër–vendor. Vetë ligji e përkufizon subsidiaritetin si ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave në nivelin e qeverisjes sa më pranë komunitetit, duke marrë parasysh natyrën e detyrës, eficiencën dhe ekonominë. Po ashtu përcakton se misioni i vetëqeverisjes përfshin qeverisjen sa më pranë qytetarëve, njohjen e identiteteve të ndryshme të bashkësive, realizimin e shërbimeve sipas nevojave të tyre dhe pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të komunitetit. Prandaj pyetja që kërkon një përgjigje nga Ju është: A mund të përcaktojmë fillimisht territorin dhe vetëm më pas të vendosim modelin e vetëqeverisjes që do të funksionojë mbi të?”, thuhet më tej.

Ai shton se çdo ndryshim territorial duhet të kalojë testin e nenit 108 të Kushtetutës që, sipas tij, vendos si kritere materiale, nevojat, interesat e përbashkëta ekonomike dhe traditën historike.

“Për këtë arsye, për secilin bashkim apo ndryshim kufiri duhet të jetë e demonstrueshme: nevoja konkrete që e justifikon; interesi ekonomik i përbashkët; lidhja historike, gjeografike dhe sociale; ndikimi mbi aksesin në shërbime; ndikimi financiar dhe administrativ; ndikimi mbi përfaqësimin; ruajtja e identitetit të komunitetit; si dhe proporcionaliteti ndërmjet eficiencës administrative dhe afërsisë së qeverisjes me qytetarin”, shprehet kryebashkiaku.

Në letër thekson se mendimi i popullsisë është kusht kushtetues paraprak. Kryebashkiaku shkruan se përpara vijimit të procesit dhe miratimit përfundimtar të hartës së re, konsideron të nevojshme që:

1. Të pezullohet vijimi i shqyrtimit përfundimtar të projektligjit deri në zhvillimin dhe dokumentimin e konsultimit real, paraprak dhe efektiv të popullsive të prekura, në një fazë kur rezultatet e tij mund të sjellin rishikimin e zgjidhjes territoriale;
2. Të bëhen publike metodologjia e konsultimit, informacioni i vënë në dispozicion të qytetarëve, pjesëmarrja, qëndrimet e shprehura dhe mënyra se si ato janë reflektuar ose arsyet e mosreflektimit të tyre;
3. Në rastin e Bashkisë Tiranë, të krijohen kushtet që procesi institucional të zhvillohet plotësisht, duke përfshirë mendimin e Kryetarit, shqyrtimin e informuar nga Këshilli Bashkiak dhe konsultimin real të qytetarëve;
4. Për përfshirjen e njësisë administrative “Rinas” në Bashkinë Tiranë, të paraqitet vlerësimi i plotë territorial, demografik, administrativ dhe financiar, përfshirë pasuritë, detyrimet, personelin, të ardhurat, shpenzimet dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike;
5. Të harmonizohet projektligji territorial me ndryshimet e nevojshme në ligjin nr. 139/2015 dhe të përfshihen në dispozita detyruese statusi juridik i “qytetit”, funksionet, organizimi, financimi dhe garancitë e shërbimeve;
6. Të përcaktohet mekanizmi juridik dhe zgjedhor i përfaqësimit proporcional të qyteteve, duke garantuar barazinë e votës dhe përfaqësimin e banorëve të fshatrave dhe njësive administrative;
7. Të harmonizohet neni 3 i projektligjit me nenin 92 të ligjit nr. 139/2015 dhe të rregullohet qartë administrimi i periudhës kalimtare, përfshirë organet kompetente, pasuritë, detyrimet, buxhetet, personelin dhe ofrimin e shërbimeve;
8. Të dokumentohet, për çdo ndryshim konkret territorial, përmbushja e kritereve materiale të nenit 108, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 86 të ligjit nr. 139/2015;
9. Të përcaktohet shprehimisht se kompetenca e këshillave bashkiakë për riorganizimin e njësive administrative kufizohet brenda territorit të bashkisë dhe nuk përfshin ndryshimin e kufijve të jashtëm ose transferimin e territorit ndërmjet bashkive.

Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka zhvilluar një sërë takimesh në qarqe të ndryshme të vendit për Reformën Territoriale, të cilën e ka cilësuar si një reformë për Shqipërinë dhe jo për një bashki apo një tjetër.

Vlen të theksojmë se me qëndrimin e tij nga paraburgimi i Durrësit për këtë, u provua se nuk është e nevojshme që Erion Veliaj dalë nga qelia që të japë mendim mbi një çështje siç ishte rasti i Reformë Territoriale.

Kujtojmë se pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme refuzoi kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për pjesëmarrjen e Veliajt në mbledhjen për “Territorialen”. /CNA





Lajmet e fundit nga