Pavarësisht gjithë diskutimeve për dallimet mes brezave në punë, disa prej ndryshimeve më të mëdha shfaqen në situata fare të zakonshme.
Merrni rastin e vonesës në punë. Një punonjëse e Gjeneratës Z, rreth të 20-ave, me të cilën fola, punon në një kafene-restorant të vogël në pronësi të një burri të gjeneratës X. Një ditë, kur kuptoi se do të vonohej, i dërgoi mesazh. Pronari u irritua. Për të, një vonesë ishte mjaft serioze për të merituar një telefonatë, ndërsa mesazhi dukej tepër informal dhe jopersonal.
Ajo e pa të njëjtën situatë krejt ndryshe.
“Ai është shumë i zënë, ndaj mendova se një telefonatë do t’i merrte shumë kohë”, më tha. “Mendova se mesazhi ishte më i sjellshëm.”
Të dy mendonin se e kuptonin se si duhej të komunikohej me respekt në punë. Thjesht kishin përkufizime krejt të ndryshme.
Studioj kulturën dhe komunikimin në vendin e punës dhe shoh se keqkuptime të tilla po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në ambientet ku punojnë disa breza bashkë. Kjo po bëhet më e dukshme ndërsa Gjenerata Z hyn më thellë në tregun e punës. Anëtarët më të mëdhenj të këtij brezi po i afrohen të 30-ave, ndërsa më të rinjtë janë ende në shkollë të mesme ose universitet.
Shumë prej të rinjve të Gjeneratës Z kaluan universitetin, praktikat ose punët e para gjatë pandemisë së COVID-19, kur pjesa më e madhe e komunikimit u zhvendos online dhe maskat shpesh mbulonin gjysmën e fytyrës. Tani inteligjenca artificiale po ndryshon sërish mënyrën se si komunikojmë.
Kjo nuk do të thotë se Gjenerata Z komunikon më mirë ose më keq me drejtuesit dhe kolegët. Ata thjesht kanë mësuar të komunikojnë në një mjedis shumë të ndryshëm.
Kur një mesazh nënkupton diçka më shumë
Rasti i kafenesë mund të duket thjesht si preferencë e të rinjve për mesazhet dhe jo për telefonatat. Por kjo anashkalon thelbin: punonjësja nuk po përpiqej t’i shmangej shefit. Ajo mendonte se po respektonte kohën e tij.
Për shefin, përkundrazi, vetë telefonata kishte një kuptim: tregonte se ajo e kuptonte seriozitetin e vonesës.
Asnjëri nuk ia kishte shpjeguar këtë pritshmëri tjetrit.
Drejtuesit nuk duhet të supozojnë se punonjësit i japin të njëjtin kuptim një forme komunikimi. Nëse vonesa duhet njoftuar me telefonatë, kjo duhet thënë qartë. Një bisedë dyminutëshe për pritshmëritë mund të shmangë keqkuptime të tilla.
Një tjetër problem lidhet me hapjen personale, e cila mund të perceptohet si ndarje e tepërt e informacionit.
Një punonjës i Gjeneratës Z, në një kompani të madhe të New England-it, po përballej me ankth të rëndë dhe vendosi t’ia tregonte këtë menaxherit të tij, një pjesëtar i brezit babyboomer. Menaxheri ishte i mirëkuptueshëm, por edhe i sikletshëm.
“Për të qenë i sinqertë, më bëri të ndihesha në siklet”, tha ai. “Nuk doja ta minimizoja ankthin e tij, por nuk jam i sigurt nëse kisha nevojë ta dija.”
Shumë punonjës më të vjetër janë rritur me idenë se profesionalizmi nënkupton kufij të qartë mes jetës personale dhe asaj profesionale. Gjenerata Z është rritur në një kohë kur diskutimet për shëndetin mendor dhe mirëqenien personale janë shumë më publike. Ajo që për dikë është sinqeritet, për një tjetër mund të duket si ndarje e tepërt e jetës private.
Kjo nuk do të thotë se menaxherët duhet të bëhen terapistë apo se punonjësit duhet të tregojnë gjithçka për jetën e tyre. Por të dyja palët duhet të kuptojnë se nuk kanë të njëjtin kufi për sa i përket ndarjes së informacionit personal.
Një pjesë e komunikimit në punë nuk shprehet fare me fjalë. Tradicionalisht, njerëzit mësonin të “lexonin situatën” duke vëzhguar fytyrat e kolegëve, ndryshimin e tonit të menaxherit ose duke dëgjuar pas një mbledhjeje shpjegimin e dikujt për atë që kishte ndodhur.
Tani mendoni për dikë që ishte 18 ose 19 vjeç në vitin 2020.
Pikërisht në moshën kur të rinjtë zakonisht zhvillonin këto aftësi në universitet, praktika dhe punët e para, “dhoma” u zhduk. Mësimet u zhvendosën online, praktikat u bënë në distancë dhe, kur njerëzit u kthyen fizikisht, maskat e bënë më të vështirë leximin e shprehjeve të fytyrës.
Kjo nuk do të thotë se Gjenerata nuk di të lexojë shprehjet e fytyrës, por nuk duhet të supozojmë se të gjithë patën të njëjtat mundësi për të mësuar sinjalet e pashkruara të jetës profesionale. Nëse reagimi është i rëndësishëm, menaxherët duhet ta shprehin qartë. Një shprehje e zhgënjyer në Zoom nuk zëvendëson një bisedë.
“Mendova se kjo ishte e qartë”
Imagjinoni një menaxher që i thotë një punonjësi të ri: “Më duhet kjo deri të premten.” Punonjësi e dërgon në orën 16:30 të së premtes. Menaxheri mërzitet, sepse kishte menduar ta shqyrtonte në mëngjes, të bënte ndryshimet dhe t’ia dërgonte dikujt tjetër.
Punonjësi, nga ana tjetër, është i hutuar. Afati ishte e premtja dhe ai e përmbushi.
Në një anketë me 250 profesionistë të Gjeneratës Z nga industri të ndryshme, qartësia e pritshmërive doli vazhdimisht si një çështje e rëndësishme, krahas drejtësisë dhe një komunikimi empatik.
Nëse një punonjës kërkon qartësi, kjo nuk duhet interpretuar automatikisht si nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme. Një punonjës mund të kërkojë autonomi dhe njëkohësisht të dëshirojë të dijë saktësisht se çfarë pritet prej tij. “Të premten” dhe “të premten deri në orën 10:00, sepse më duhen tri orë për ta kontrolluar” përcjellin pritshmëri shumë të ndryshme.
Inteligjenca artificiale mund ta bëjë këtë çështje edhe më të rëndësishme. Sot mund të shkruajmë email-e të përpunuara, të përmbledhim mbledhje dhe të krijojmë informacion më shpejt se kurrë. Por më shumë komunikim nuk garanton domosdoshmërisht më shumë mirëkuptim.
Ndoshta ky është mësimi më i madh për të gjitha brezat që punojnë së bashku: shpesh i marrim normat e punës që kemi mësuar si diçka të vetëkuptueshme. Por ato nuk janë të tilla. Ato na janë mësuar nga vendet e punës, teknologjitë dhe rrethanat historike në të cilat kemi nisur karrierën.
Gjenerata Z po mëson të komunikojë në një botë shumë të ndryshme. /The Conversation – Syri.net
© SYRI.net