Me urdhër të Ramës, PS refuzon debatin për skandalin e SHISH, Bardhi: Fsheh sms-të e veta me Ergys Agasin

11:29, 01/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Me forcën e kartonit maxhoranca bllokon zhvillimin e një debati mbi një nga skandalet më të rënda në 100 vite shtet, ai i kapjes së SHISH nga krimi i organizuar.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në një dalje për median nga kryesia e Kuvendit, tha se ishte Rama ai që urdhëroi anëtarët e maxhorancës sot në Konferencën e Kryetarëve bllokimin e këtij debati ‘një nga skandalet më të rënda në 100 vite shtet’, ndërsa janë injoruar akuzat dhe faktet që PD ka vënë në dispozicion për këtë skandal.

"Me urdhër direkt të Edi Ramës maxhoranca bllokoi zhvillimin e një debati mbi një nga skandalet më të rënda në 100 vite shtet, ai i kapjes së SHISH nga krimi i organizuar. Ne si opozitë e kemi ngritur prej mëse 2 vitesh shqetësimin se shefja e SHISH ishte emërim personal i kontrolluar tërësisht, për shkak të pushtetit që Edi Rama i kishte dhënë nga një individ privat, koordinatorit të krimit të kryeministrit Ergys Agasi.

Akuzat e opozitës edhe pse me fakte e prova u përqeshën për 2 vite nga Edi Rama dhe e njëjta maxhorancë që sot ndalon debatin në kuvendin e Shqipërisë për këtë cështje.

Për grupin parlamentar të PD-së, kapja e SHISH nga krimi i organizuar dhe marrëdhënia e shefes së SHISH me kreun e një grupi të strukturuar kriminal cënon sigurinë kombëtare.

Dua të dënoj bllokimin që i bëri maxhoranca kësaj kërkese për të zhvilluar mocion me debat në kuvend.

Është e paimagjinueshme  për një republikë parlamentare që Kuvendi të jetë I vetmi institucion që shmanget nga përgjegjësia në raport me sigurinë kombëtare të republikës së Shqipërisë. Një nga aktet më të paprecedenta për një vend demokratik"

PD kërkon të dijë se cilët partnerë kanë dhënë referenca të shkëlqyera për Vlora Hysenin, pasi informacioni që disponon grupi PD nuk përputhet me këtë deklaratë të kryeministrit, përkundrazi referencat kanë qenë për papërshtatshmëri të saj për këtë detyrë të lartë shtetërore. Bardhi thotë se Rama duhet të shpjegojë nëse emërimi i Vlora Hysenit u bë mbi bazën e referencave të shërbimit sekret rus apo serb. 

Ka kaluar ditë që nga kjo sallë i kam kërkuar kryeministrit të dalë të na shpjegojë cili partner ndërkombëtar ka dhënë referencat e shkëlqyera për Vlora Hysenin. Sepse informacioni që disponon grupi PD nuk përputhet me këtë deklaratë të kryeministrit, përkundrazi referencat kanë qenë për papërshtatshmëri të saj për këtë detyrë të lartë shtetërore, sikundër shërbime partnere kanë patur gjatë gjithë kësaj periudhe shqetësime sa i takon Shërbimit Informativ Shtetërorë,  pra pa dalë skandali dhe cështja e hapur nga SPAK.

Kryeministri ka detyrë të dalë të na shpjegojë se nëse referencat e shkëlqyera për Vlora Hysenin i ka dhënë shërbimi sekret serb kjo dyfishon cënimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Nëse referencat e shkëlqyera për Vlora Hysenin i ka dhënë shërbimi sekret rus padiskutim cënon sigurimë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Prandaj transparenca mbi këtë cështje është mekanizmi i duhur që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Edhe pse unë jam i bindur që kryeministri Rama dhe presidenti Bajram Begaj do të përzgjedhin drejtorin e ri të SHISH që do e vënë në shërbim të krimit të organizuar, sepse nuk ishte akt individual i Vlora Hysenit për tu vënë në shërbim të Ergys Agasit.

Kreu i grupit parlamentar shkon më tej kur thotë se komunikimet e Ergys Agasit nuk kanë qenë vetëm me kreun e SHISH por dhe me vetë kryeministrin.

"Opinioni publik është skandalizuar nga komunikimet e drejtorit të SHISH me kreun e grupit të strukturuar criminal, por të shohësh  komunikimet e Edi Ramës me kreun e grupit të strukturuar kriminal, me të njëjtin individ shastisja kalon në një tjetër nivel" 

Prej 22 shtatorit Vlora Hyseni, shefja e Shërbimit Informativ ndodhet në 'arrest shtëpie' pasi akuzohet nga SPAK për  'përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror'. 

Sipas të dhënave të rrjedhura në media nga dosja hetimore, nga qershori deri në gusht të këtij viti, mes Hysenit dhe Agasit janë gjetur më shumë se 500 komunikime telefonike në audio, video dhe mesazhe, në të cilat ajo identifikohet drejtpërdrejt me interesat e Agasit kundrejt institucioneve të drejtësisë që po e ndiqnin penalisht.

Hyseni akuzohet gjithashtu jo vetëm për gatishmërinë për ta ndihmuar Agasin, por për vendosjen në dispozicion të tij të cilësisë së saj si zyrtare si dhe të kapaciteteve të institucionit që ajo drejton. Po më 22 shtator kryeministri Rama dhe presidenti Begaj firmosën shkarkimin e saj nga detyra. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco