Ndërsa mbërriti në ambientet e Gjykatës së Posaçme, Monika Kryemadhi foli edhe për skandalin e videove me përmbajtje seksuale të personazheve që i përkasin artit.
Kryemadhi dënoi me forcë aktin e regjistrimit dhe publikimit të këtyre videove pasi jeta private është një kufi që nuk duhet shkelur. Ajo shprehu edhe keqardhje për mënyrën si shoqëria shqiptare po reflekton mbi këto situata, si dhe shprehu solidaritet me gratë e përfshira në video.
-I keni parë videot që qarkulluan?
Monika Kryemadhi: Po, i kam parë.
-Çfarë mendimi ke?
Monika Kryemadhi: Përveçse ndjenjës së shëmtuar që më la për shkak të viktimave të atyre videove, grave apo vajzave, kushdo që janë, personi i cili i ka bërë, ai që i ka regjistruar, por edhe ai që i ka shpërndarë, është një veprim përveçse shumë i ulët, një veprim që e dënoj me forcë. Ajo që dua të them është që nuk ka ç’i duhet asnjërit se ç’bën një njeri në dhomën e vet të gjumit apo me jetën e vet private. Tjetra është që mënyra sesi ne po fillojmë dhe gjykojmë situatën, problematikat dhe gjithë jetën shoqërore është e tmerrshme. Të ndihesh më i dhunuar nga një video porno që shikon sesa nga taksat e larta, mungesat e punës, largimi i të rinjve dhe të rejave, shpopullimi i Shqipërisë, është një fatkeqësi e madhe. Megjithatë, unë jap atë ndjenjë dhimbjeje për gratë dhe viktimat e atyre videove dhe ndiej neveri për vepruesit që e kanë bërë atë.


