Tashmë liqeni i Kasharajt në Lushnje është kthyer në një moçal, ku gjenden ende tonelata me peshq të ngrodhur.

Disa grumbulluar në brigje, të tjerë kanë mbetur në baltë. Era e rëndë e dekompozimit është përhapur në zonë.

Gjatë së enjtes, ndërhyrja u përqendrua te shkarkuesi i rezervuarit, brenda digës. Mjetet e Albpetrolit punuan me agregatë për pompimin e ujit dhe zhbllokimin e portave. Puna hasi në vështirësi për shkak se saraçineska është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme. Ndaj inxhinieri i bordit të kullimit ka kërkuar nga institucionet shtetërore, blerjen e një saraçineske të re, që pritet të mbërrijë në ditët e ardhshme.

Në terren gjenden dhe shërbimet e veterinarisë që po dezinfektojnë me dron sipërfaqen e mbuluar me peshq të ngordhur.

Ndërsa eskavatorët po punojnë për hapjen e një rruge, në mënyrë që kamionët të futen brenda rezervuarit për të hequr baltën dhe tonelata me peshq të ngordhur.  Sakaq bashkia pritet te gjejë nje fushe për groposjen e tyre.

Rezervuari i Kasharajt është tharë, gjatë punimeve për riparimin e digës. Për këtë, bashkia kishte dhënë 32, 9 milionë lekë kompanisë “Fled” por afatet e tenderit u shkelën prej 1 viti. Bashkia nuk mori asnjë masë ndaj kompanisë derisa ndodhi katastrofa ekologjike. Tashmë që dëmi është bërë, Bashkia ka kallëzuar penalisht “Fled” shpk, pasi nuk mori masat e duhura për menaxhimin e ujërave. Policia nisi procedim në gjendje të lirë për administratorin Fredi Mara, por ky i fundit e mohon përgjegjësinë. Ai pretendon se nuk kishte dijeni për peshqit në rezervuar.