Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Kavajë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi me inicialet F. M. ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Bolonjës kishte lëshuar më 25 maj 2026 një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij.
47-vjeçari akuzohet nga autoritetet italiane për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në kuadër të një hetimi për një organizatë që dyshohet se merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Arrestimi u krye në Kavajë pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë.
Aktualisht, autoritetet shqiptare dhe ato italiane po vijojnë procedurat për ekstradimin e 47-vjeçarit në Itali, ku do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.













