Dy persona, mes tyre një shqiptar janë arrestuar në Carde të Italisë, pasi dyshohet se tentuan të mashtronin një banor vendas, duke i thënë se duhej t’u dorëzonte floririn dhe bizhuteritë e tij për kontroll.
Ngjarja nisi me një telefonatë ku njëri prej të dyshuarve u paraqit si pjesëtar i Karabinierëve të Cuneos.
Ai i tha banorit se targa e automjetit të bashkëshortes së tij ishte kopjuar dhe se një makinë me të njëjtën targë ishte përfshirë në një grabitje. Pas kësaj, viktima u vu në kontakt edhe me një person tjetër, i cili pretendoi se ishte magjistrat.
Mashtruesit i kërkuan atij të mblidhte bizhuteritë dhe sendet e tij prej ari, me pretendimin se ato duhej të kontrolloheshin nga një ekspert i dërguar nga gjykata.
Mediat italiane shkruajnë se viktima dyshoi për mashtrimin dhe kërkoi ndihmë në bashkinë e zonës. Oficeri i policisë lokale Luigi Piccinonno u njoftua dhe organizoi ndërhyrjen.
Kur njëri prej të dyshuarve mbërriti për të marrë arin dhe bizhuteritë, oficeri ndërhyri dhe e arrestoi. Dy të dyshuarit janë persona nga zona e Torinos dhe ishin të njohur më parë për autoritetet.













