Përfaqësues të qeverisë siriane dhe grupit militant libanez Hezbollah kanë zhvilluar bisedime sekrete në Turqi, në përpjekje për të ulur tensionet mes dy palëve. Takimi, i mbajtur muajin e kaluar, është i pari mes tyre që prej përmbysjes së Bashar al-Assad në fund të vitit 2024, sipas gjashtë burimeve të cituara nga Reuters. Në takimin e shtatorit morën pjesë përfaqësues të Hezbollahut, zyrtarë të inteligjencës siriane dhe të ministrisë së jashtme. Bisedimet u organizuan me ndërmjetësimin e shërbimeve turke të sigurisë dhe inteligjencës, ndërsa sipas burimeve, Ankaraja kishte nisur kontaktet mes dy palëve rreth dy muaj më herët.