Ndezën zjarre në Fier dhe Lushnjë, arrestohen tre persona

Tre persona, autorë të dyshuar për zjarrvënie në Fier dhe në Lushnjë janë arrestuar nga policia.
Në pranga ka rënë shtetasi Daniel Duraj, 31 vjeç, banues në fshatin Pojan, Fier, pasi dje, dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe për shkak të erës, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqe të mëdha toke në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apollonisë.
Gjithashtu u arrestua shtetasi Agim Stafa 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër dhe Dragol Guga 49 vjeç, banues në fshatin Golem, Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si dhe ka rrezikuar djegien e disa serave në afërsi.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka apeluar të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.




