Pesë shtetase të huaja janë arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit të koduar “Last Meeting”, kundër ushtrimit të prostitucionit në apartamente të marra me qira ditore dhe reklamimit të kësaj veprimtarie në rrjetet sociale. Policia bën me dije se të arrestuarat janë tre shtetase vietnameze dhe dy kineze, të cilat ushtronin aktivitetin në tre apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.
Në kërkim është shpallur një 35-vjeçar vietnamez, i dyshuar se siguronte kundrejt përfitimit kushtet për ushtrimin e kësaj veprimtarie nga tre prej të arrestuarave. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë vënë nën hetim si përfitues të aktivitetit. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe pesë telefona celularë që përdoreshin për reklamimet në rrjetet sociale.
Në njoftimin e policisë thuhej:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Last meeting”, kundër ushtrimit të prostitucionit, në banesa me qira ditore, veprimtari e cila reklamohet edhe në rrjete sociale.
Arrestohen 5 shtetase të huaja (3 vietnameze dhe 2 kineze) që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.
Shpallet në kërkim një shtetas vietnamez që shfrytëzonte 3 prej shtetasve të arrestuara, me të njëjtën shtetësi.
Vihen në hetim 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari. Sekuestrohen 5 celularë me të cilët kryheshin postime rreth kësaj veprimtarie. Si rezultat i punës operative dhe monitorimit në hapësirën digjitale, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit që ushtrohet nga shtetase të huaja, në banesa të marra me qira ditore, në kryeqytet, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Last meeting”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetaset që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente, V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, të trija vietnameze, si dhe L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe, të dyja kineze.
Më tej, u shpall në kërkim shtetasi vietnamez, T. T., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka siguruar kundrejt përfitimeve, kushtet për kryerjen e kësaj veprimtarie nga 3 shtetaset vietnameze të arrestuara. Punohet intensivisht për kapjen e këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
