
Partia Socialiste dhe Demokratike nuk ranë dakord përsa i takon kërkesës së bërë nga disa deputetë opozitarë për mocion me debat në Kuvend për skandalin e SHISH dhe arrestimin e ish-drejtoreshës Vlora Hyseni.
Gazment Bardhi e konsideroi të “paimagjinueshme” sesi socialistët sipas tij po kërkonin t’i shmangeshin përgjegjësisë që i takon Kuvendit për sigurinë e vendit.
“Është e paimagjinueshme që Kuvendi t’i shmanget përgjegjësisë në raport me sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk është çështje e drejtësisë. Çështje e drejtësisë është të çojë pas hekurave dhe para përgjegjësisë ligjore cilindo që ka kryer këtë vepër penale. Kuvendi nuk e ka këtë kompetencë, por ka kompetencën e kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet, përfshirë edhe SHISH-in”, tha Gazment Bardhi.
Nga ana tjetër për ta kundërshtuar këtë kërkesë të demokratëve, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përmendi deklaratën e djeshme të presidentes së KE, Ursula von der Leyen duke thënë se SPAK duhet lënë të bëjë punën në mënyrë të pavarur. Sipas tij, Kuvendi nuk mund ta zëvendësojë hetimin e plotë të SPAK, ndërsa tha se PD duhej të përqendrohej në debatin e saj të brendshëm.
“Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lemë sistemin të bëjë punën e vet. Asnjë instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Dua të ripërsëris këtu se çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK, duhet të ndalet. Forca politike, brenda së cilës militon ky person, duhet ta bëjë debatin e parë brenda vetes për këtë çështje”- tha Balla. Versus.al

