”Në faqe ka edhe politikanë shqiptarë”, ekspertja e IT-së: Videot janë ende të aksesueshme
Një deklaratë e fortë është bërë nga ekspertja e IT-së, Denisa Kele foli për publikimin dhe shpërndarjen e videove intime të personazheve publikë. Kele tha se ka aksesuar një prej faqeve ku publikohen këto materiale dhe, sipas saj, ka konstatuar praninë edhe të videove që lidhen me figura të politikës shqiptare. ”Ka personazhe të tjerë nga bota politike që janë pjesë e këtyre faqeve. Shpresoj që policia t’i shohë dhe t’i fshijë. I kam parë dhe i kam identifikuar”, tha ajo, duke shtuar se autoritetet janë në dijeni të ekzistencës së faqes.
Sipas ekspertes, shqetësimi bëhet edhe më i madh pasi materialet, sipas saj, vijojnë të jenë të aksesueshme kundrejt pagesës. Duke iu referuar rastit të Adrian Hilës, Kele hodhi dyshime mbi mënyrën se si mund të jenë siguruar dhe publikuar pamjet intime. Ajo tha se bëhet fjalë për një skemë të mundshme “hakerimi të centralizuar”, duke ngritur si hipotezë komprometimin e sistemeve të kompanive që prodhojnë pajisjet e regjistrimit.
“Janë pajisje që duken si objekte të zakonshme, por që në to vendosen kamera. Këto materiale kanë qenë të regjistruara në vitin 2024”, deklaroi Kele. Ekspertja tha gjithashtu se ka naviguar në një aplikacion dhe në një faqe që ajo e lidhi me kompani ruse të teknologjisë, ku, sipas saj, kishte materiale intime të regjistruara në ambiente private.
Kele tha se identifikimi i llojit të kamerës dhe mënyrës se si janë siguruar pamjet mund të ndihmojë hetimin, ndërsa i bëri thirrje policisë të marrë masa për parandalimin e shpërndarjes së mëtejshme të materialeve. Deklaratat e saj ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë e pajisjeve të vogla të regjistrimit dhe mënyrën se si materialet private mund të përfundojnë në platforma online pa autorizimin e personave të filmuar.

