Nga Alban Dudushi*

Kjo drejtësi e Dhomave të Specializuara nuk e ka emrin tonë!

Prandaj ne jemi mbledhur sot këtu për të kërkuar LIRINË E KOMANDANTËVE!

Komandantët i shërbyen Kosovës edhe një herë.

Ringjallja e vlerave të UÇK-së, sidomos tek të rinjtë e lindur pas luftës, erdhi edhe përmes tyre.

Rikthimi i kujtesës se pse Kosova është sot e lirë, erdhi përmes tyre.

Ata u nisën në luftë me plumbin e vdekjes me vete.

Dhe shërbimi i tyre për Kosovën ende nuk ka mbaruar.

Odisea e komandantëve vazhdon.

Dhe bashkë me ta vazhdon edhe Odisea e Kosovës.

Por ata e kanë të qartë se Itaka e Shqipërisë dhe e Kosovës është qytetërimi demokratik.

Qytetërimi demokratik  është shtëpia jonë.

Askund tjetër nuk do ta gjejmë vatrën tonë familjare.

Kjo betejë e komandantëve në Hagë është ndoshta më e vështirë se lufta me serbin.

Sepse tani është një betejë me botën e ftohtë të gërmës dhe të ligjit.

Është betejë për të mos lejuar që viktima dhe agresori të vendosen në të njëjtën peshore.

Është betejë për të mbrojtur të vërtetën historike të luftës së Kosovës dhe aleatëve të saj perëndimorë.

Të vërtetën e  luftës për humanizmin kundër barbarisë.

Për lirinë kundër shtypjes.

Për jetën kundër shfarosjes.

Dhe ne nuk duhet ta harrojmë këtë:

Lufta e UÇK-së dhe aleanca me botën demokratike nuk ndryshoi vetëm fatin e Kosovës.

Kjo luftë vrau regjimin e Millosheviçit.

Nëse fantazmat e së shkuarës banojnë ende në botën serbe, kjo nuk është përgjegjësia jonë.

Ne duhet të jemi krenarë për atë që solli kjo luftë!

Në Ballkan u hap rruga për dy liri: lirinë e Kosovës nga Serbia dhe lirinë e Serbisë nga regjimi i Millosheviçit.

Po!

Komandantët kanë betejën e tyre në Hagë. Ne kemi betejën tonë jashtë. Është beteja për t’i rikujtuar botës demokratike  historinë tonë të afërt.

Ju po e bëni detyrën tuaj këtu, në këtë shesh. Por secili duhet të bëjë luftën e vet.

Qeveritë. Politikanët. Diplomatët. Studiuesit. Historianët. Juristët. Gazetarët. Artistët. Figurat publike.

Kudo!

Në Kosovë.

Në Shqipëri.

Në diasporë.

Duhet të trokasim në dyert e miqve tanë ndërkombëtarë.

Duhet t’ua ritregojmë historinë tonë.

Duhet t’u themi:

Liria që fituam bashkë, sot është burgosur.

Është nëpërkëmbur dhe nesër mund të zhbëhet!

Prandaj kjo nuk është vetëm beteja e komandantëve.

Është edhe beteja jonë. Dhe ne duhet ta fitojmë atë bashkë me ta. Bashkë me Kosovën. Bashkë me Shqipërinë. Dhe bashkë me miqtë tanë në qytetërimin demokratik.

PO!

Liria ka emër!

Ka emrin e komandantëve.

Ka emrin e ushtarëve.

Ka emrin e grave dhe burrave që në shumë forma luftuan për të.

Ka emrin e aleatëve

Ka emrin e popullit të Kosovës.

Dhe tani është koha që edhe drejtësia të flasë NË EMRIN TONË!

*Fjala e mbajtur në protestën në mbështetjen e liderëve te UÇK në Prishtinë.

Top Channel