Policia e Shkodrës ka arrestuar në flagrancë dy shtetas të huaj, të cilët u kapën duke transportuar me automjet katër shtetas nga Afganistani, që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë shtetasi azerbajxhanas M. A., 59 vjeç, dhe shtetasi turk C. D., 36 vjeç. Të dy u ndaluan në aksin rrugor “Shkodër-Hani i Hotit”, ndërsa në automjet ndodheshin edhe katër shtetas afganë.
Automjeti drejtohej nga shtetasi turk C. D., ndërsa pasagjer ishte shtetasi azerbajxhanas M. A., pronar i automjetit. Sipas policisë, dy të arrestuarit po transportonin kundrejt pagesës katër shtetasit afganë, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
Njoftimi i Policisë:
DVKM Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Transit 2”, goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas të huaj, të cilët u kapën duke transportuar me automjet 4 shtetas nga Afganistani, që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi.
Sekuestrohet automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit 2”.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasi azerbajxhanas M. A., 59 vjeç, dhe shtetasi turk C. D., 36 vjeç.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar, në aksin rrugor “Shkodër-Hani i Hotit”, automjetin me drejtues shtetasin C. D. dhe pasagjer shtetasin M. A. (pronar i automjetit), me të cilin po transportonin, kundrejt pagesës, 4 shtetas nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
