Yll Limani në fokusin e ”Corriere della Sera” në Itali: Suksesi i këngëtarit shqiptar po kalon kufijtë
Yll Limani po vazhdon të zgjerojë jehonën e muzikës së tij përtej skenës shqiptare. Këtë herë, këngëtari nga Kosova është bërë pjesë e një artikulli të prestigjiozes italiane “Corriere della Sera”, e cila ka sjellë në fokus rrugëtimin dhe suksesin e tij në muzikë. Në artikull, Limani prezantohet si një prej figurave të spikatura të gjeneratës së re të pop-it shqiptar dhe një artist me një numër të madh ndjekësish.
Rrugëtimi i tij muzikor nisi herët. Në vitin 2011, ai u shfaq në sezonin e parë të “The Voice of Albania”, ndërsa pesë vite më vonë mori pjesë në “Festivali i Këngës”, ku arriti të renditej në vendin e tretë. Sot, karriera e tij ka marrë përmasa të tjera. Sipas “Corriere della Sera”, Yll Limani numëron rreth 700 mijë dëgjues mujorë në Spotify, ndërsa projektet e tij muzikore kanë grumbulluar miliona transmetime. Një prej këngëve më të suksesshme, “Malli”, ka kaluar tashmë shifrën e 30 milionë transmetimeve.
Mediumi italian ndalet edhe te transformimi artistik i këngëtarit. Limani e nisi rrugëtimin me balada romantike dhe të ngadalta, përpara se të eksploronte më tej tingujt pop dhe R&B, duke krijuar një identitet të veçantë në skenën muzikore shqiptare.
Artisti po vijon aktivitetin koncertor me turneun “Thirrëm Sot ose Nesër”, i cili mban emrin e albumit të tij të fundit. Turneu do ta çojë Limanin në disa vende, mes tyre Maqedonia e Veriut, Gjermania, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Vëmendja e një prej mediave më të njohura italiane i shtohet kështu një karriere që, nga skenat shqiptare, po shtrihet gjithnjë e më shumë edhe në arenën ndërkombëtare.

