Skandali tronditës në Kishën Katolike, 275 priftërinj akuzohen për abuzimin e rreth 1 mijë fëmijëve

Më shumë se 270 klerikë katolikë dyshohet se kanë abuzuar seksualisht me rreth 1 mijë fëmijë në tri dioqeza të Masaçusetsit, gjatë një periudhe prej disa dekadash. Të dhënat janë publikuar në një raport të Prokurores së Përgjithshme të shtetit, Andrea Joy Campbell, i cili dokumenton rastet e abuzimit dhe dështimet institucionale që, sipas saj, lejuan përhapjen e fenomenit për më shumë se gjysmë shekulli.
Raporti identifikon të paktën 275 anëtarë të klerit të akuzuar për abuzimin e 944 fëmijëve në dioqezat e Fall River, Springfield dhe Worcester. Shumica e rasteve të dokumentuara kanë ndodhur përpara vitit 2002, kur hetimet e “Boston Globe” nxorën në pah mënyrën se si zyrtarë të Kishës Katolike në Boston kishin fshehur sistematikisht raste të abuzimit seksual nga priftërinjtë.
Campbell deklaroi se dioqezat kishin dijeni për abuzimet, por në shumë raste kishin zgjedhur të mbronin reputacionin e Kishës në vend të fëmijëve. Ajo bëri të ditur gjithashtu se gjatë hetimit janë referuar tri çështje te prokurorët lokalë, ndërsa në një rast në Worcester është ngritur procedim penal. Në disa raste të tjera nuk janë ndjekur penalisht autorët, pasi veprat nuk ishin të paligjshme në kohën kur u kryen ose ishin parashkruar.
Dioqezat e përfshira në raport kanë reaguar duke shprehur keqardhje dhe duke kërkuar falje nga viktimat. Peshkopi i Fall River, Edgar da Cunha, foli për “dështime tragjike” në mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa peshkopi i Springfield, William Byrne, e cilësoi raportin si një “mësim përulësie”. Campbell kërkoi reforma të mëtejshme dhe ndryshime ligjore për mbështetjen e viktimave, përfshirë heqjen e afatit të parashkrimit për paditë civile që lidhen me abuzimin seksual të të miturve.




