Në pranga përfundoi edhe një 49-vjeçar nga fshati Golem, i cili dyshohet se i vuri flakën mbeturinave në tokën e tij, por zjarri doli jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si edhe duke rrezikuar disa sera në afërsi.
Sipas Policisë, falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivëve dhe shërbimit zjarrfikës, vatrat e zjarrit u shuan pa shkaktuar dëme në banesa apo rrezik për banorët.
Policia e Fierit u bëri apel qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke kujtuar se përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Njoftimi i plotë i Policisë
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin D. D., 31 vjeç, banues në fshatin Pojan, Fier, pasi dje, dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe për shkak të erës, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqe të mëdha toke në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apollonisë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasit:
-A. S., 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër;
-D. G., 49 vjeç, banues në fshatin Golem, Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si dhe ka rrezikuar djegien e disa serave në afërsi.
Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve të Policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse, u bë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit, pa shkaktuar dëme në banesa apo te banorët.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi ato mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve”


