Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët “Profesionistët e lirë si aktorë aktivë në shoqëri dhe politikëbërje”, të organizuar nga Aleanca e Profesionistëve të Lirë, me mbështetjen e Center for International Private Enterprise.
Në fjalën e saj, Tabaku kërkoi që profesionistët e lirë të mos trajtohen thjesht si zbatues të ligjeve, por të përfshihen drejtpërdrejt në hartimin e tyre, në konsultimet publike dhe në procesin e integrimit europian.
Ajo solli si shembuj bashkëpunimin për çështjen e profesionistëve të lirë në Gjykatën Kushtetuese dhe ndërhyrjet në ligjin e auditimit, duke theksuar se bashkimi rreth një interesi publik sjell rezultate konkrete.
“Kur palët bëhen bashkë dhe kanë një interes të përbashkët publik, sigurisht që gjërat ecin”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate kritikoi mënyrën se si zhvillohet sot konsultimi publik, duke e cilësuar atë, në shumë raste, si një proces formal.
“Duhet të merret realisht mendimi i profesionistëve, sepse janë ata që mbajnë mbi shpinë zbatimin e ligjeve në pjesën më të madhe të kohës. Konsultimi duhet të ndodhë përpara se projektligjet të vijnë në Parlament”, deklaroi ajo.
Sipas Tabakut, profesionistët e lirë përfaqësojnë një nga shtyllat kryesore të shtresës së mesme dhe janë ndër grupet që e ndiejnë më fort peshën e sistemit aktual fiskal dhe rregullator.
“Nëse ka një shtresë që përfaqëson më mirë sfidat e Shqipërisë, jeni pikërisht ju, profesionistët e lirë”, tha Tabaku.
Duke u ndalur te integrimi europian, kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane ngriti shqetësimin se Shqipërisë i mungon ende një analizë e plotë për gatishmërinë e bizneseve për të përballuar kostot dhe detyrimet e legjislacionit të Bashkimit Europian.
“A është gati biznesi shqiptar të përballet me të gjitha sfidat e legjislacionit europian? Çfarë duhet të bëjë biznesi, çfarë kostosh do të ketë dhe çfarë ligjesh duhen miratuar? Integrimi nuk mund të bëhet vetëm në letra dhe vetëm me qeverinë, pa përfshirë ata që do t’i zbatojnë ligjet”, nënvizoi Tabaku, duke kërkuar që përfaqësuesit e profesionistëve dhe të biznesit të jenë pjesë e grupeve të negociimit.
Tabaku foli gjithashtu për klimën e biznesit dhe për përqendrimin e pasurisë dhe të privilegjeve ekonomike në një numër të vogël kompanish. Ajo tha se kjo situatë po dëmton konkurrencën dhe po lë në harresë biznesin e vogël, biznesin e mesëm dhe profesionistët e lirë.
“Ju nuk konkurroni me pasurinë e monopoleve dhe as me paratë e korrupsionit. Ju konkurroni vetëm me punën tuaj”, u shpreh deputetja e PD-së.
Sipas saj, nuk mund të ketë një ekonomi të drejtë kur një grup i vogël përfiton favore dhe përjashtime fiskale, ndërsa profesionistët e lirë përballen me taksa, ligje abuzive, kontrolle dhe presion administrativ.
“Procesi i integrimit duhet të na shërbejë për ta përmirësuar vendin, jo për ta kthyer në një proces formal nga i cili nuk përfiton askush”, theksoi Tabaku.
Në përfundim, ajo shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me Aleancën e Profesionistëve të Lirë dhe organizatat e biznesit në tri drejtime kryesore: përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e rolit të profesionistëve në procesin ligjvënës dhe përfshirjen e tyre në procesin e integrimit europian.













