Gjendja e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) paraqitet shqetësuese në një nivel alarmant për shkak se institucioni duket se ka dështuar në misionin e tij kryesor, gjetjen e rasteve të skandaleve dhe dhënien në kohë të rekomandimeve për luftën ndaj korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Përgjegjës për këtë rezulton të jetë vetë kreu i KLSH, Arben Shehu i cili me veprimet apo mosveprimet e tij ka shkaktuar probleme të shumta. Dy ditë më parë, mediat raportuan se në Kuvend ishte dorëzuar një dosje nga ish-auditues të cilët e akuzojnë Shehun për degjenerimin institucional të institucionit nëpërmjet vonesën e projekt-raporteve të auditimeve. Sipas denoncimit të publikuar, gjatë drejtimit të tij nuk janë bërë fare auditime të PPP-ve duke lënë pas dore mbikëqyrjen e projekteve që u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë miliona euro.
Mosangazhimi i audituesve të tjerë në auditet e planifikuara, ka sjellë një rënie të dukshme të performancës së institucionit që duket se nuk jep asnjë ndihmesë për SPAK në gjetjen e rasteve të abuzimit apo korrupsionit.
Kjo duket se ka edhe një prapavijë tjetër, atë të punësimit të të afërmve të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Sipas ekspertit të sigurisë kibernetike, Gent Progni i cili e ka ngritur gjithashtu problematikën e mosfunksionimit të KLSH, ka një shkatërrim të meritokracisë.
Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ai përmend emrat e disa prej zyrtarëve të lartë të cilët kanë të afërmit e punësuar në këtë institucion dhe për këtë arsye ka mungesë të referimeve të shkeljeve në Prokurorinë e Posaçme.
“Kriteri I vetëm duhet të jesh i afërm i ndonjë drejtori, prokurori madje edhe atyre të SPAK, ose i deputetëve, t’ju jap emra, nipi i Ulsi Manjës, mbesa e Ardi Veliut, motra e Gledis Nanos, nipi i Kreshnik Spahiut, kushërira e Blerina Gjylametit. Prandaj jemi në këtë pikë, prandaj KLSH nuk con asnjë dosje”- shprehet ai mes të tjerash.
Mirëpo shqetësime të tilla nuk mundet të mbeten pa u adresuar për shkak se bëhet fjalë për një prej institucioneve që supozohet të merret me auditimin dhe gjetjet e shkeljeve në institucionet kryesore të vendit apo kontrata miliona euroshe që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Versus.al

