Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, është takuar sot me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në kuadër të nisjes së misionit të tij diplomatik në Tiranë.
Takimi është vlerësuar nga Ambasada Amerikane si një moment për të theksuar lidhjen më shumë se 100-vjeçare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen. Në mesazhin e publikuar pas takimit, Ambasada sjell në vëmendje mbështetjen e presidentit amerikan Woodrow Wilson për një Shqipëri të pavarur dhe e lidh atë me bashkëpunimin e sotëm mes dy vendeve si aleatë në NATO.
Në fokus të partneritetit janë zgjerimi i bashkëpunimit në tregti, siguria energjetike dhe forcimi i lidhjeve mes dy popujve. Sipas Ambasadës Amerikane, këto fusha synojnë të kontribuojnë edhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Nw postimin e bwrw nga Ambasada e Shteteve tw Bashkuara shkruhej: “Një partneritet historik me një vizion të përbashkët për të ardhmen. Ambasadori Eric Wendt u takua me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, për të vlerësuar një lidhje mbi 100-vjeçare.
Që nga mbështetja e Presidentit Wilson për një Shqipëri të pavarur, te bashkëpunimi ynë i sotëm si aleatë të NATO-s, ne vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin në tregti, sigurinë energjetike dhe lidhjet mes njerëzve, duke forcuar paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
