Finlandë-Shqipëri/ Historia e përballjeve, kuqezinjtë kërkojnë fitoren e tretë

Shqipëria do të zbresë në fushë të shtunën, më 3 tetor, në orën 15:00, përballë Finlandës, në ndeshjen e radhës të UEFA Nations League. Përballja e ardhshme do të jetë e teta mes dy kombëtareve, të cilat deri më tani janë përballur shtatë herë. Bilanci favorizon Finlandën, që ka regjistruar 4 fitore, ndërsa Shqipëria ka triumfuar në 2 raste. Një ndeshje është mbyllur në barazim.

Historia e përballjeve direkte nis më 21 qershor 1972, në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës. Finlanda fitoi 1-0 në shtëpi. Një vit më vonë, më 10 tetor 1973, Shqipëria regjistroi fitoren e parë ndaj finlandezëve. Kuqezinjtë triumfuan 1-0 falë golit të Ramazan Rragamit, i cili shënoi nga pika e bardhë.

Fitorja e dytë e Shqipërisë erdhi më 3 shtator 1980, kur kuqezinjtë fituan 2-0. Golat u shënuan nga Sefedin Braho dhe Millan Baci. Në përballjen e radhës, më 2 shtator 1981, Finlanda u rikthye te fitorja, duke triumfuar 2-1. Për Shqipërinë shënoi Muhedin Targaj, edhe ai nga penalltia.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dy skuadrat u përballën sërish në eliminatoret e Kupës së Botës 2002. Më 2 shtator 2000, Finlanda fitoi 2-1, me golin e Shqipërisë që u shënua nga Edvin Murati. Një vit më vonë, më 1 shtator 2001, finlandezët fituan përsëri, këtë herë me rezultatin 2-0 në transfertë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përballja e fundit mes dy kombëtareve daton më 7 janar 2002, në kuadër të turneut “Four Team Tournament” në Bahrein. Takimi përfundoi në barazim 1-1, ndërsa golin e Shqipërisë e shënoi Indrit Fortuzi.

Në total, Finlanda kryeson bilancin me 4 fitore, kundrejt 2 fitoreve të Shqipërisë, ndërsa një ndeshje ka përfunduar në barazim. Golavarazhi është 10-7 në favor të Finlandës.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?