Një 18-vjeçar, një nga 52 shpërndarësit që shisnin drogë në shkollat e Tiranës ka rënë në prangat e policisë.
Ky arrestim vjen vetëm një ditë pas atij të Orges Ferazinit, një tjetër prej anëtarëve të 8 grupeve të shpërndara në kryeqytet duke e çuar numrin total të të arrestuarve në 40.
I përfshirë në rrjetin e shpërndarësve është edhe një ish-efektiv, Engrid Henaj, i përjashtuar nga policia që në 2017 për vjedhje.
Hetimi për identifikimin e shpërndarësve është zhvilluar gjatë 4 muajve, kur agjentët e infiltruar kanë simuluar edhe blerje të heroinës e kokainës. Lëndët narkotike shpërndaheshin me monopatina, taksi e motorë picash.
Njoftimi i policisë
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, lokalizuan dhe vunë në pranga shtetasin G. H., 18 vjeç, banues në Tiranë, të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar për të, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


